Java e 33-të në Superiore, prodhojë mjaft rezultate befasuese dhe 15 gola. Elbasani fitoi kryendeshjen ndaj Vllaznisë 3 – 1, ndërsa “Neësport.al”, ka përzgjedhur formacionin më të mirë.
Klevi Totoshi (Elbasani): Vetëm 20 vjeç, por Elbasani dhe trajneri Ivan Gvozdenovic kanë një “xhevair” në katërkëndësh, fjala është për Klevi Totoshi. “Gardiani” elbasanas ia doli të ndal 8 nga 9 goditje në kuadrat të Vllaznisë, protagonist i fitores 3 – 1.
Mouctar Kodji (Bylis): Edhe pse “operon” në linjën e majtë të sulmit, Kodji mbuloi shumë mirë edhe në anësore të mbrojtjes. Këtë element, 21-vjeçari kamerunas e dëshmoi karshi Teutës, e fituar 2 – 0. Lojtar që sjell “freski” në vijën anësore dhe i rrezikshëm me krosime drejt qendrës.
Serjan Repaj (Vora): Repaj gjithmonë e më shumë po bëhet i pazvendësueshëm në “zemër” të mbrojtjes te Vora. Ndaj Egnatias në Rrogozhinë, shkodrani demostroi “rezistencë” dhe sakrificë përballë sulmuesëve të kampionëve në Superiore.
Anton Kresic (Tirana): Ka pak kohë te ekipi bardheblu, por është integruar shumë mirë te bardheblutë dhe po jep rezultat në fushën e blertë. Në derbi kundrejt Partizanit, Kresic u bë “mur” për sulmuesit e “Demave të Kuq”, e fituar 2 – 1.
Bledar Lila (Elbasani): Për të kuptuar aftësitë dribluese e kreatvitetin e Bledar Lilës, mjafton të vështrojmë me kujdes asistin për golin e 2-të të Elbasanit ndaj Vllaznisë. Pikërisht në këtë aksion, mbrojtësi peqinas mori “zvarrë” prapavijën e ekipit shkodran.
Irgi Kasalla (Vora): Protagonist absolut në fitoren e bujshme të Vorës në Rrogozhinë karshi Egnatias, autor i dopietës. Ndonëse është mesfushor, ka treguar aftësi goleadori.
Jacques Mbe (Flamurtari): Mesfushori defensiv Mbe, po bën shumë mirë te Flamurtari. Trajneri Andi Ribaj e ka vendosur në “shinat” e duhura 27-vjeçarin kamerunas, paraqitje dinjitoze në triumfin 3 – 1 ndaj Dinamos në Vlorë.
Freddy Alvarez (Tirana): E ka hedhur pas tragjedinë me vajzën dhe po tregon më të mirën te bardheblutë. Shënoi eurogol në fitoren 2 – 1 kundër Partizanit, ekzekutim “mjeshtëror” prej goditjes së dënimit.
Xhonatan Lajthia (Elbasani): Praktikisht, sulmuesi Xhonatan Lajthia mposhti i vetëm Vllazninë, protagonist me dy gola. Edhe pse mori goditje në kokë, sërish tregoi “nuhatje të frikshme” në gjetjen e rrjetës mike.
Erald Maksuti (Flamurtari): Kuqezinjtë u gjendën në disavantazh pas 7 minutash lojë me Dinamon, por “magjistari” Erald Maksuti e përmbysi i vetëm ndeshjen dhe i dha fitoren vlonjatëve, 3 gola. Paraqitje për t’u “varur në kornizë” nga bomberi shkodran.
Aboubacar Camara (Bylis): Finalizoi golin e “sigurisë” për Bylisin ndaj Teutës. Camara e ka gjetur rrugën e rrjetës në 2 raste përgjatë 3 ndeshjeve të fundit. Po rezulton “xhol” për trajnerin Mirel Josa te ekipi ballshiot.
Trajneri i Javës – Ivan Gvozdenovic (Elbasani): Trajneri Gvozdenovic ia la topin dhe manovrat ofensive Vllaznisë, ndërsa e “vrau” ndeshjen me kundërsulme dhe lojë dinamike, “shahist” i vërtetë. “Arkitekti” i këtij ekipi që po iu fut “frikën” çdo kundërshtari në Superiore.
