
Ish-ylli i Real Madrid, Inter apo Milan, hollandezi Clarence Seedorf është ndalur të flasë për mundësinë që trajnerët me ngjyrë kanë në Europë. Sipas hollandezit 42 vjeçar, shanset që në Europë të të jepet mundësia sepse e meriton janë të vogla, kjo edhe për shkak të racizmit.
"Kam luajtur 12 sezone në Itali dhe pas Milanit, ku kam bërë një punë të mirë, nuk më ka ardhur më asnjë telefonatë. Holanda është vendi im dhe nuk më ka ardhur asnjë thirrje për t'u ulur në pankinë. Cilët janë kriteret e përzgjedhjes? Pse kampionët e mëdhenj nuk kanë asnjë mundësi në Europë, ku kanë shkruar historinë e futbollit?
Pse Vieira duhet të shkojë të punojë në New York dhe Henry në Kanada? Jam i bindur se për trajnerët nuk ka mundësi të barabarta dhe nëse shikoni numrat, ka shumë pak trajnerë me ngjyrë, në nivele të larta. Megjithatë ky është një diskutim i gjerë, që përfshin tërë shoqërinë, pasi unë mendoj se të gjithë duhet të mbajnë dyert të hapur për ambiciozët e ata që e meritojnë, sepse suksesi mund të vijë nga njerëz të ndryshëm", tregon Seedorf.