Një nga figurat më të shquara të volejbollit, ish-trajneri legjendar i Dinamos, Kreshnik Tartari, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare. Me largimin e tij, volejbolli ynë humbet një prej arkitektëve të suksesit dhe një mentor që i dha shpirt këtij sporti për dekada me radhë.
Kreshnik Tartari nuk ishte thjesht një trajner, por një institucion më vete. Emri i tij është i lidhur pazgjidhshmërisht me klubin e Dinamos, të cilin ai e ktheu në një forcë dominuese, duke shkruar kapitujt më të lavdishëm të historisë së volejbollit shqiptar.
Nën drejtimin e tij, ekipi i femrave të Dinamos u shndërrua në një nga skuadrat më të suksesshme në historinë e sportit shqiptar, por krijoi një standard të ri të lojës, duke ndërthurur disiplinën taktike me pasionin. E gjitha nisi në vitin 1974, kur formacioni i drejtuar prej tij nisi një dominim të jashtëzakonshëm, duke fituar 11 tituj kampionë radhazi dhe 20 në total. Kjo skuadër arriti gjithashtu rezultate historike në Evropë, duke siguruar pjesëmarrjen në Final Four.
Nga baza e kësaj skuadre të suksesshme, Tartari ndërtoi edhe ekipin kombëtar të vajzave, i cili në Lojërat Mesdhetare të vitit 1987 arriti një sukses të jashtëzakonshëm duke mposhtur Italinë, kampione të Evropës në atë kohë, dhe duke fituar titullin kampion të Lojërave Mesdhetare.
Ndarja nga jeta e Kreshnik Tartarit është një humbje e madhe për sportin shqiptar. Ai do të kujtohet si një nga figurat që i dha lavdi volejbollit shqiptar dhe si një prej arkitektëve të sukseseve më të mëdha të këtij sporti në vend.
