Konfederata Evropiane e Volejbollit ka miratuar unanimisht kandidaturën e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë për organizimin e Kampionatit Evropian U16 për djem në vitin 2027. Padiskutim që ky ëhstë një nga lajmet më të mira që vjen për shqiptaret.
Ky vendim u mor ditën e sotme në mbledhjen e Bordit të Administratës së CEV-it dhe u konfirmua përmes një letre zyrtare nga presidenti i saj, Roko Sikiric, drejtuar krerëve të federatave përkatëse, Bahri Gjinovci dhe Erlind Pëllumbi.
Turneu do të zhvillohet gjatë verës së vitit 2027 në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa finalja e madhe do të luhet në kryeqytetin e Kosovës. Në këtë kampionat do të marrin pjesë 16 kombëtare nga e gjithë Evropa, duke e kthyer rajonin në një qendër të rëndësishme të volejbollit të të rinjve dhe duke sjellë në skenë talentët më premtues të kontinentit.
