
Pas dy dekadash në krye të Red Bull Racing, Christian Horner është shkarkuar nga detyra si drejtor ekipi, pas një gjysmë sezoni të dobët në kampionatin e Formula 1. Britaniku, i cili drejtoi ekipin që nga hyrja në garë në vitin 2005, udhëhoqi Red Bull drejt 8 titujve të pilotëve dhe 6 të konstruktorëve.
Sezoni 2025 ka qenë zhgënjyes për ekipin, që ndodhet në vendin e katërt në renditjen e përgjithshme. Performancat e Max Verstappen kanë qenë të vetmet pika "jetike", ndërsa pilotët e dytë, fillimisht Liam Lawson e më pas Yuki Tsunoda, nuk kanë arritur të afrohen me kreun.

Horner u përball me akuza për sjellje të papërshtatshme vitin e kaluar, por mbeti në detyrë pasi një hetim i brendshëm e pastroi nga çdo faj. Megjithatë, raportohej se disa figura kyçe, përfshirë babain e Verstappen, kërkonin largimin e tij, por ai mbështetej nga aksionari i madh, Chalerm Yoovidhya.
Tashmë duket se ka humbur edhe atë mbështetje dhe vendimi për largimin është bërë zyrtar. "Faleminderit Christian për përkushtimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në 20 vitet e fundit", thuhet në deklaratën e ekipit, ndërsa zëvendësuesi i tij do të jetë Laurent Mekies nga Racing Bulls.