
Sot, Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit zbardhi vendimet për çështjet e arkivuara nga ajo që prodhoi javën e shkuar Superiorja. Një nga lojtarët që nuk i shpëtoi "vrullit" të dënimeve, ishte Brunild Pepa.
Futbollisti i Lushnjes u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Kukësit dhe si të mos mjaftonte kjo, ai sot ka marrë "shuplakën" e radhës. Për këtë newsport.al kontaktoi vetë lojtarin, i cili u shpreh totalisht kundër vendimit të Disiplinës.
"Unë mbrojtësit të Kukësit s'i kam bërë asgjë. Më ka goditur me grusht dhe unë vetëm i kam hedhur dorën në qafë. Nuk e di si dënohet një futbollist pa pamje. Nuk e di pse nuk i japin pamjet. Iu tregoj që arbitri nuk e pa fare. Vendimi për të më ndëshkuar me karton të kuq, ishte vetëm për shkak të simulimit të lojtarit të Kukësit.
Megjithatë kështu si kanë shkuar gjërat, nuk ka problem. Do ta apeloja po të ishim në pozita të tjera në tabelën e klasifikimit. Po e ripërsëris që duhet të shihni edhe njëherë pamjet filmike dhe do të konkludoni që duhet dënuar lojtari i Kukësit", tha fillimisht ai.
Kur u pyet më pas nëse do të largohet në fund të këtij edicioni të dështuar nga Lushnja, Pepa deklaroi: " Ka qenë një sezon i vështirë për të gjithë ne. Më erdhi keq që s'e mbushëm njëherë stadiumin. Të mbarojmë këtë edicion futbollistik dhe më pas do shoh ç'do bëj", përfundoi për newsport.al, Brunild Pepa.