
Nga Ervin Baku
Kur kaluan 13 javë nga kampionati i 79-të kombëtar i futbollit, duket se konfigurimi i skuadrave në garë është përvijuar ndjeshëm. Kështu, Skënderbeu me fitoren e radhës ndaj Kukësit me pretendime, në një mënyrë, iu "la targën" jo vetëm kuksianëve por të gjitha simotrave në ndjekje.
Xhejms Adeniji i vuri vulën tri pikëve, duke u kthyer në makthin e verilindorëve (me fanelën e Laçit, Xhejms iu shënoi golin fatal në finalen e Kupës 2015, duke i hequr mundësinë e suksesit). Kësisoji, Skënderbeu ka udhëtuar i qetë drejt Zvicrës, aty ku formacioni i Dajës ka një llogari të fundit me grupet e Ligës së Europës.
Teuta në gjunjë...! Edhe pse duhet të themi që durrsakëve nuk iu akordua një penallti e pastër. Është sërish Kamza e Ndreut që ecën me hap galopant. Raçiç këmben "vendet" me Plakun, teksa shënon golin e vetëm të takimit.
"Kurora" i takon periferikëve të Tiranës që këto javë kanë dëshmuar fuqi, cilësi dhe vitalitet.
Rrokopujë te Vllaznia. Gjoka me të tijtë u duk se do të vijonin ndeshjet positive, por ndaj Laçit të Kurbinit ka gjetur disfatën e madhe.
Bardhezinjtë duhen përgëzuar, pasi së bashku me korçarët po dhurojnë lojëra spektakolare.
Rendimenti i Laçit vjen nga brezi i talenteve të reja që në çdo sfidë po shfaqen diktues, duke përshtjelluar sfidantët që ofron kalendari. Kthehet Partizani.
Po këtë radhë duhet besuar se të kuqtë e kaluan krizën. Mposhtin keqas Lushnjën dhe sulmojnë fort "Zonën Euro". Dhe kanë të drejtë.
Janë vetëm pesë pikë larg vendit të dytë. Starova, strategu që mund t'i dërgojë të tijtë të lumtur drejt "gjelit të detit" (me disa fitore deri në fund të vitit).
Për lagunarët, alternativa e vetme mbetet merkatoja e dimrit...
Ndryshe, lamtumirë Kategoria Superiore. Derbi i jugut u luajt të hënën. Luftëtari, larg edicionit të shkuar, arriti të balancojë pak minuta para fundit të sfidës që po udhëhiqej nga Flamurtari.
Ky i fundit ka deklaruar se dëshiron medoemos të mbërrijë në Europë. Dhe ka të drejtë. Grupi dhe stafi po sillen si profesionistë, e mbi të gjitha po ruajnë stabilitetin ndeshje pas ndeshjeje.
Aq pra...! Skuadrat në "vazot" e tyre. Skënderbeu i vetëm drejt titullit, ndërsa në fund, Lushnja, Luftëtari, Vllaznia pse jo dhe Teuta, në betejën e qëndrimit.
Së paku kjo është fizionomia e "rebusit" provizor pas 13 javëve kampionat.