
Të paprekshim në skuadrën e Bayern Munich po bëhen gjithnjë e më pak të paprekshëm. Pas një sezoni aspak të mirë, në të cilën skuadra gjermane arriti të fitonte vetëm Bundesligën drejtuesit e rinj (CEO Oliver Kahn dhe drejtori sportiv Hasan Salihamidzic u shkarkuan) duken të gatshëm të “heqin qafe” një tjetër shtyllë të ekipit.
Bëhet fjalë për Joshua Kimmich. Kështu të paktën thotë gazeta gjermane “Kicker” duke shpjeguar se gjermani nuk është më i patransferueshëm tek Bayerni. Nëse do të vinte një ofertë e mirë për Kimmich, drejtuesit e Bayernit do të ishin të gatshëm të hynin në bisedime për lojtarin.
Kujtojmë se mesfushori bavarez ka kohë që është në orbitën e Barcelonës derisa vetë futbollisti nuk e ka marrë parasysh deri më tani. Gjithçka mund të ndryshojë tani, veçanërisht duke marrë parasysh se nuk ka lojtarë të palëvizshëm në njëmbëdhjetëshen e trajnerit të ri, Thomas Tuchel.