
Partizani dhe Vllaznia u ndeshën të mërkurën në kuadër të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. 90 minutat e rregullta përfunduan në barazim 1-1 duke e dërguar ndeshjen me shtesa. As “extra-time” nuk arriti të nxirrte një fitues, për të shkuar te ruleta e famshme ruse. Ishin kuqeblutë që u treguan më të saktë duke mos gabuar asnjë penallti dhe kaluar në finalen e madhe.
Ndeshja u luajt në barazpeshë, me të dyja skuadrat që kishin rastet e tyre. Ishte Partizani që e nisi ndeshjen më vrullshëm, duke shënuar gol. Rastet të tjera u krijuan te të kuqtë, por pa sukses. Vllaznia pas golit të barazimit filloi të çlirohej dhe të merrte në kontroll frerët e lojës.
Deri në fund të 120 minutave të dyja skuadrat e balancuan lojën e njëra-tjetrës. Ishin dy lojtarët që ranë në sy nga ekipet. Massanga Matondo ishte motori i Partizanit, duke e bërë mesfushën e demave të funksionojë, ndërsa Darko Bulatovic e mbrojti Vllazninë nga sulmi i Partizanit. Skuka, që ka bërë mjaft mirë me të kuqtë ndeshjet e fundit, nuk arriti të shfaqte potencialin e tij sepse Bulatoviç e la nën hijen e tij.
Janë afrime në merkato, Matondo u afrua në merkaton e dimrit, Bulatovic në atë të verës. Dhe pse mbrojtësi nuk është aktivizuar çdo ndeshje si titullar, ai arriti t’u tregojë shkodranëve potencialin e tij dje. Mesfushori i Partizanit nuk është habi, mesfusha e Mehmetit është e sigurt prej ndeshjesh me të.
Forma e Matondos dhe Bulatovic ishte tregues i ndeshjes së djeshme, një sfidë që tregoi një nivel futbolli të luftuar, me grintë dhe pasion. Mbetet për t’u parë si do të shkojë e ardhmja e dy futbollistëve. Malazezi e mbyll kontratën në verë me shkodranët, ndërsa Matondo ka nënshkruar deri verën e 2024-ës.