
Momente frike dhe paniku u regjistruan në elitën e futbollit kolumbian gjatë ndeshjes mes Independiente Santa Fe - Atletico Nacional. Mbrojtësi 29-vjeçar, Andres Felipe Roman u rrëzua papritur në fushë pa ndjenja, vetëm 12 minuta pas fillimit të ndeshjes.
Episodi solli kujtime të forta për tifozët, duke rikthyer në vëmendje rastin dramatik të Christian Eriksen, i cili pësoi arrest kardiak më 12 qershor 2021 gjatë Kampionatit Europian, në ndeshjen mes Danimarkës dhe Finlandës.
Roman ndodhej pranë bashkëlojtarit Manuel Zapata në momentin kur ndodhi incidenti. Fillimisht ai vendosi duart në kokë, më pas preku hundën dhe, pas disa hapave të pasigurt, u rrëzua në tokë.
Futbollistit iu dha ndihma e parë nga stafi mjekësor në fushë dhe për fat të mirë, ai u rikthye në këmbë pak minuta më vonë. Klubi bëri me dije se gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut. Pavarësisht incidentit, ndeshja vazhdoi dhe Atletico Nacional arriti të marrë fitoren 2-1.