Ish-mesfushori i Zvicrës, Valon Behrami ka bërë një deklaratë të papritur së fundmi. Siç dihet, simbola e shqiponjës nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri në Botërorin 2018, pas fitores 2-1 përballë Serbisë, shkaktoi “furtunë”.
Mirëpo, Behrami është shprehur se nëse do ta dinte se dyshja shqiptare do të bënin shqiponjën, do t’i ndalonte. Nuk ka dhënë një shpjegim, pra një arsye se përse dëshironte ta ndalte përdorimin e shqiponjës në sy të serbëve, por ish-futbollisti nga Mitrovica, e ka thënë qartë se nuk e preferoi diçka të tillë.
“Sikur ta kisha ditur që do të festonin me simbolin e shqiponjës në Rusi 2018, do të kisha bërë diçka për t’i penguar. Unë nuk dija asgjë. Sapo kishim shënuar gol, vrapuam dhe ndodhi çdo gjë aty. Unë isha i vetmi që nuk e bëra shqiponjën.
Kur u kthyem në dhomat e zhveshjes, akoma nuk e kishim kuptuar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Më pas na njoftuan se mediat kishin shkaktuar një furtunë, dhe aty nisën problemet”, është shprehur Behrami.
