
Tirana ka bërë një lëvizje mjaft të bujshme dhe të papritur ditën e sotme. Bardheblutë kanë prezantuar afrimin e radhës në ekip.
Por nuk është sit ë gjithë transferimet e tjera. Kjo pasi drejtuesit kanë rikthyer në ekip Erando Karabecin. Mesfushori rikthehet te bardheblutë për të riveshur sërish këtë fanellë dhe për të rinisur kështu një tjetër aventurë në kryeqytet.
Klubi e ka prezantuar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ndërsa shkruan se lojtari e ka mbajtur me krenari më shumë se 1 dekadë fanellën bardheblu.
“Mirësevjen sërish në shtëpi, Erando Karabeci!
KF Tirana njofton se mesfushori tiranas rikthehet aty ku filloi gjithçka, për të veshur edhe një herë fanellën që ka mbajtur me krenari për më shumë se një dekadë. Me mbi 275 ndeshje zyrtare me Tiranën, si edhe disa trofe të fituar, Karabeci është jo vetëm një veteran, por një simbol i përkushtimit dhe i shpirtit bardheblu.
Pas eksperiencave të tij të fundit, ai rikthehet për të mbyllur karrierën aty ku e nisi, në shtëpi, pranë tifozëve që e kanë përkrahur gjithmonë dhe klubit që i dha emër. Me përvojën e tij të pasur, ai do të ketë një rol të dyfishtë në skuadër: si lojtar aktiv në fushë dhe si një udhëheqës për brezin e ri të futbollistëve që po rriten brenda klubit.
Mirësevjen në shtëpi, Erando! Tani është koha për të shkruar faqen e fundit të një kapitulli të paharrueshëm, me fanellën bardheblu”, ka shkruar klubi bardheblu.
View this post on Instagram