Barazimi në Vlorë me rezultatin 1-1 ndaj Flamurtarit ka rikthyer Tiranën në luhatjet e zakonshme të sezonit, pasi bardheblutë lëshuan nga duart një tjetër shans të artë për qëndrimin edhe në sezonin e ardhshëm në Superiore.
Edhe pse goli i Tabekou në fillimin e pjesës së parë u duk se për kryeqytetasit do të ishte një sfidë për t'u fituar, vendasit barazuan në minutat e fundit në sajë të një penalltie të dyshimtë e cila u shfrytëzua mjeshtërisht nga kapiteni i vlonjatëve Maksuti.
Tashmë, skuadra e Orges Shehit e sheh veten sërish në vendin e 8-të me 28 pikë, 1 më shumë se Vora që luan të dielën në shtëpi përballë Teutës dhe 2 më pak se Bylis që udhëton sot drejt Rrogozhinës për sfidën e orës 17:00, për një shkëputje të mundshme nga rivali kryesor për mbijetesën.
Kjo rrëshqitje e rrezikshme për 26 herë kampionët e Shqipërisë, bën që Tirana të "shtrëngojë" dhëmbët për ndeshjet e mbetura në kampionat, me shpresën se skuadrat e tjera të vendeve të fundit do të lëshojnë pikë.
