Egnatia nuk mundi që të triumfonte në finalen e Superkupës, duke humbur me përmbysje 1-3 përballë Dinamos. Ndërkohë që gazetari dhe drejtori i SuperSport, Ylli Aga ka folur për merkaton që i pret rrogozhinasit. I ftuar në "Rubrika Sportive" në RTSH, Aga u shpreh se largimet e mundshme të Arbenit Xhemajit dhe Mario Dajsinanit, janë me “dy tablo”.
"Do të jetë një humbje për Egnatian, por unë besoj se për të gjithë duhet të jetë shumë e qartë, ne operojmë në një treg ku presioni është i jashtëzakonshëm dhe ku ofertave është e pamundur tu rezistosh.
E kam thënë edhe njëherë tjetër ne kemi një limit për sa i takon pagesave të lojtarëve po themi tek më të mirët mund të vërtitet tek 10 mijë euro.
Por oferta që mund të vijnë me lojtarët mund të vijnë me 5-fish ose 10-fish më shumë edhe është e pamundur për ti rezistuar qoftë ofertës që të vjen si klub por mbi të gjitha ofertës që merr lojtari.
Kështu që ne duhet t'i gëzohemi faktit që kemi lojtarë të nivelit të tillë, të cilët duan të ngjiten më lartë me shpresën e madhe që duan diçka më shumë, por edhe për të ndihmuar klubet dhe arkën e tyre.
Për të marrë disa financime të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë periudhë sepse të ardhurat nga shitja apo fitimi i trofeut dhe pjesëmarrmarja në Europë janë dy burimet kryesore në zhvillimin ekonomik të klubit", është shprehur Ylli Aga.
