Vetëm 1 fitore në 5 ndeshjet e fundit dhe aspak kreativitet në fazën ofensive, kjo është tabloja e Dinamos nën “dirigjimin” e trajnerit Ilir Daja. Për të hedhur më shumë “dritë” pas humbjes së sotme karshi Teutës, ka folur për mediat Daja, ndërsa objektivi “Final Four” po humb “terren” te kryeqytetasit, 4 pikë larg Partizanit (vendi i 4-të) dhe vetëm 2 pikë më shumë se Teuta (vendi i 6-të):
“Kalimi i Ditës në mesfushë ishte përgatitur gjatë javës. E filluam me 3-5-2 për mos t’u deklaruar me 3-4-1-2. Duke parë që ata presonin me dy sulmues, ne e zgjodhëm me 3 lojtar poshtë. Ishim mirë, derisa te aksioni i parë i Teutës, ne pësuam. Ta humbësh ndeshjen me një episod, të vjen keq.
Mbas atij momenti, kërkuam të reagonim. Ndërruam edhe krahët, meqënëse edhe Ismajli e Neziri nuk ishin në më të mirën e tyre. U përballëm me një mbrojtje me bllok të ulët nga Teuta. Nuk kishte lojë efektive. Kemi një pjesë lojtarësh jashtë formë. Kemi krizë rezultatesh.
Nuk do ta thoja se kemi krizë lojë. Në këto javë, Dinamo ka qenë ekipi që ka prodhuar më shumë para portës rivale. Sot nuk mund të flitej për ritëm, spese në çdo minutë ndërpritej loja. Jo vetëm në situata 1 kundër 1, por edhe në lojë ‘muri’ ½, sepse Teuta kishte mbrojtje motorike.
Por ne nuk realizuam fare lojën e ‘murit’ në zona të ngushta. Nuk kishim shtatëlartësi në sulm. Guindo i dëmtuar, Mustapha jo në gjendje të mirë. Ne kishim punuar me Ditën ‘ekran’, por edhe në këtë moment duhet të kishim ndjekur linjat me Maloma, Nanin dhe Bregun.
Kemi pëdorur gjithë kontigjentin që kemi në dispozicion. Jemi në gjendje jo të mirë psikologjike. Duhet të ndryshojmë. Të gjejmë zgjidhjen më të mirë. Ky vit i ri kalendarik është larg pritshmërive nga ana jonë. Ne po e qarkullonim topin në 30 metrat e fundit të zonës kundërshtar, por te zona e golit, nuk shkonte asnjë nga sulmuesit tanë në pjesën e parë.
Edhe krosimet që vijnë nga vija fundore, nuk janë krosime të favorshme, sepse stoperat e Durrësit janë shtatëlartë. Me futjen e Mustapha dhe Farukut, e shtuam disi, ama jo rezultativ.
Edhe Bregu e Berisha janë përdorur gjatë javës si qendërsulmues. Nuk ishte rastësisht aty. Bregu ka luajtur si sulmues linje më herët, por ata të dy mund të ishin më të durueshëm për të shkuar te zona e golit.
Me këto rezultate që po prodhojmë ne, vendi i 4-të është goxha e vështirë të arrihet. Ne do bëjëm maksimumin deri në fund. Nëse nuk ke të gatshëm asnjë nga qendërsulmuesit, do luash me adoptime. Duhet të gjejmë një zgjedhje”.
