Ish-trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja ka publikuar së fundmi disa pamje nga stërvitje, kur ai punonte me të kuqtë.
Në videon e postuar nga Kërnaja në rrjetet sociale, shihet qartë se si çdo skemë e përgatitur në seancat stërvitore, është shpalosur me sukses edhe në ndeshjet zyrtare, si ajo ndaj Dinamos.
Ndërkohë që krah kësaj video-je, Kërnaja u ka “kyçur” gojën kritikëve dhe të gjithë atyre që nuk besuan në punën e 37-vjeçarit tropojan. Ndërsa kujtojmë se Dinamo fitoi sot 2-0 ndaj Vllaznisë.
Por vetë Kërnaja me anë të skemave të tij, ia dilte të mposhtte Dinamon vetëm pak ditë para shkarkimit, po me shifrat 2-0. Një leksion ky edhe për teknikun e Vllaznisë, Edi Martinin, duke i treguar qartë se si fitohet ndaj “Nëndetëses”.
“Asgjë nuk vjen rastësisht në këtë jetë, me punë arrihet çdo gjë. Mos i hidh gurë çdo qeni që leh. Ziliqari lëndohet më shumë nga lumturia, suksesi i tjetrit, sesa nga dhimbja e vet”, shkruan Oltijon Kërnaja në rrjetet sociale.
Kujtojmë që Kërnaja e drejtoi Partizanin në 28 ndeshje, mes Superiores dhe Kupës së Shqipërisë. Ai mori 13 fitore, 7 barazime dhe 8 humbje, teksa u shkarkua 3 javë para se të përfundonte kampionati i rregullt.
View this post on Instagram
