FSHF TV sjell një tjetër risi në programacionin e saj, duke i dedikuar elitës së futbollit shqiptar një emision të ri. Duke nisur nga kjo e mërkurë në orën 18:00, në ekranin e FSHF TV do të startojë “Analizë Superiore”, një format i ri i fokusuar tërësisht te kampionati “Abissnet Superiore”.
“Analizë Superiore” do të transmetohet çdo javë dhe do të ofrojë një këndvështrim ndryshe mbi ndeshjet e elitës së futbollit shqiptar, duke u mbështetur në statistika, analiza të detajuara dhe interpretim profesional të momenteve kyçe të takimeve.
Emisioni do të drejtohet nga Jurgen Zela, ndërsa Xhoen Tugu, video-analisti i Federatës së Futbollit, do të sjellë analizën e detajuar të ndeshjeve dhe elementeve taktike.
Nëpërmjet këtij formati të ri, FSHF TV synon të evidentojë situatat më të veçanta të ndeshjeve, analizën taktike dhe elementet statistikore, duke i afruar edhe më shumë tifozët me dinamikën e kampionatit dhe me zhvillimet në elitën e futbollit shqiptar.
“Analizë Superiore” vjen si një tjetër hap në pasurimin e përmbajtjes së FSHF TV dhe në promovimin e futbollit shqiptar, duke sjellë çdo javë analiza profesionale dhe një vizion të ri mbi kampionatin “Abissnet Superiore”.
