
Superiorja është futur në periudhën e “nxehtë”, teksa pak ditë na ndajnë nga gjysmëfinalet e “Final Four”. Aty, Vllaznia do të përballet me Dinamon, ndërsa Egnatia me Partizanin. Një tjetër duel interesant që nuk ka të bëjë me katër më të mirat, është ajo e “play-out” mes Tiranës dhe Pogradecit.
Pikërisht për “Final Four” dhe “play-out”, ka folur Sulejman Mema. Në një intervistë të dhënë për “News24”, Mema është shprehur se Egnatia dhe Dinamo mund të shkojnë në finalen e Superiores. Ndërsa për Tiranën, 69-vjeçari u bën thirrje bardhebluve që të kenë kujdes nga Pogradeci i Ard Memës.
Katër ekipe në garë për titullin dhe Kupën, për të gjithë trofetë. I respektoi formula pritshmëritë, a duhet të ndryshojë?
Ka kohë që njerëzit kërkojnë të ndryshojë kjo skemë. Po ta shikosh kanë dalë më të mirat. Nisur nga shorti, unë e shikoj shumë interesante. Them se 4 skuadrat e kanë merituar të jenë aty, edhe pse Partizani pati lëkundje. Në katërshe nuk i dihet, pasi janë dy ndeshje. Edhe pse të favorizuara janë ato ekipe që në renditje janë më mirë, prapë nuk i dihet. Faza e fundit do jetë interesante.
Mema, Egnatia-Partizani dhe Vllaznia-Dinamo në “Final 4” do të përballen për herë të 7-të këtë sezon. Të duket normale? A ka më ndonjë efekt surprizë këtu? Për herë të fundit luajtën vetëm disa ditë përpara…
Faza finale nuk do ketë surpriza. Kur luajnë skuadrat e nivelit të mirë, edhe pse luajnë mirë, po ta shikosh e bën interesante. A duhet ndryshim? Normalisht që duhet ndryshim. Shpresoj që Komiteti Ekzekutiv dhe presidenti të bëjnë këto ndryshime.
“Në “Final 4” luhet një tjetër muzikë” u shpreh Gega profesor. Pse është ndryshe ky takim, për më tepër që Egnatia luan për dy rezultate…
Ka të bëjë edhe ana psikologjike. Ky është kampionati i vërtetë. Të katërta janë në garë, edhe pse pak më e avantazhuar është Egnatia. Dinamo më e favorizuar se Vllaznia, te klasifikimi. Shpresoj që të ketë njerëz në stadium. Ato do e bëjnë akoma më interesante.
Mes Egnatias dhe Partizanit, kush shkon në finale? Vetëm mos më thuaj që shanset janë 50 me 50…
Egnatia ka ekip më të kompletuar, pavarësisht se Partizani ka karakterin e vet, një karakter që gjithë jetën ka qenë skuadër e karakterit. Me Egnatian do jetë më ndryshe, pres cilësi të mrekullueshme të ndeshjes.
Çifti tjetër Vllaznia-Dinamo, çfarë i mungon kësaj Vllaznie për të fituar titullin? Pse e ka kaq të vështirë një qytet si Shkodra të fitojë titullin, a mund të jetë ky viti i duhur?
Mendoj që po. Kam parë ndeshjen me Dinamon, të fundit. Vllaznia i ka të gjitha mundësitë, nuk e di nëse do i ketë të gjithë në dispozicion. Dinamo është ekip më dinak, ka trajner të mrekullueshëm siç është Ilir Daja.
Rikthehet pas 15 vitesh edhe Dinamo në nivele të larta. A do të ndikojë Kupa, finalja që do të luhet më 1 maj, ndërsa 4 ditë më pas luan me Vllazninë….
Nuk ndikon fare, sepse çdo trajner ka dëshirën e vet, çdo klub ka dëshirën e vet. Është mirë kur një skuadër fiton dy trofe. Të gjithë ndihen mirë kur një ekip fiton të dyja trofetë.
Mendon se do të bëjnë një zgjedhje, të luajnë all in në Kupë?
Janë 3 ndeshje gjithsej. Dinamo nuk duhet të mendojë shumë. I ka të gjithë mundësitë. Dinamo ka futbollistë cilësorë, po ta shikosh nuk ndikon në kupë apo kampionat.
Një parashikim Mema, kush e fiton Kupën e Shqipërisë? Egnatia apo Dinamo, kë sheh favorit?
Nuk jap dot parashikim të tillë. Nuk i dihet, finalet janë finale. Mendoj që do ia dalin ata trajnerë që luajnë mirë në mbrojtje.
Mema, një finale luan edhe Tirana, e prisje të vinte sërish kjo ditë, ku luajnë për mbijetesë?
Tirana duhet ta kërkojë te vetja, që ka shkuar në këtë moment. Unë e shikoj si moment të kalueshëm. E pashë Pogradecin, luan bukur futboll me kombinacione. Edhe portierin ishte i mirë. Unë mendoj se Tirana është më e avantazhuar, edhe pse është një ndeshje vetëm.
Në play-off do të kenë Pogradecin, duhet të kenë frikë tifozët bardheblu? Ke frikë Mema?
Jo vetëm tifozët, por edhe stafi duhet të jetë i shqetësuar. 90 minuta duhet të tregojë kujdes, Pogradeci është i organizuar mirë në repartin e mbrojtjes.
Kjo është një ndeshje e veçantë për Ardian Memën, pinjollin e familjes Mema. Do jetë e vështirë për Ardin, kush do jetë në Superiore, Tirana apo Mema?
Ardi ka bërë punë të mirë. Skuadra ka evoluar shumë, i referohem asaj që kam parë. Unë mund të them se është shumë e avantazhuar Tirana.