Teuta do të përballet këtë të enjte (nesër) me Dinamon në kuadër të javës së 19-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana”, do të nisë në orën 17:00. Ndërkohë që në prag të këtij takimi ka folur edhe trajneri i “Djemve të Detit”, Enkeleid Dobi. Ky i fundit është ndalur tek ndeshja me dinamovitët, teksa ka thënë fjalën e tij edhe për merkaton, duke u shprehur që pret edhe disa afrime të tjera.
Profesor, a do të jenë të gatshme afrimet e reja për këtë ndeshje dhe në çfarë gjendje fizike ndodhen?
Do të jenë gati. Besoj se në ndeshjen e parë ndoshta jo të gjithë janë në të njëjtin nivel kondicioni fizik apo përgatitjeje, sepse Daci ndeshjen e fundit e ka luajtur në nëntor. E dimë që stërvitjet individuale nuk janë njësoj me stërvitjet me ekipin, por themi që me kalimin e kohës do të japin ndihmën e tyre dhe do të përshtaten edhe me konceptin, edhe me idetë dhe nga ana e përgatitjes fizike do të jemi në nivelin e duhur.
Çfarë prisni nga përballja me Dinamon dhe sa të vështirë e parashikoni?
Ne presim fitoren dhe do të punojmë në atë mënyrë që të dalim me tre pikët. Normalisht është një ndeshje e vështirë. Dinamo në këtë moment është ekipi më në formë dhe e ka treguar edhe me lojë, edhe me ndeshjet që ka zhvilluar kohët e fundit. Por, siç e kam thënë gjithmonë, nuk kemi kontroll mbi atë që bën Dinamo. Kemi ndikim dhe kontroll si reagojmë ne. Fokusohemi te puna jonë çdo ditë dhe themi që, nëse do të jemi të disiplinuar dhe të organizuar në mënyrë perfekte, sepse e dimë që Dinamo ka cilësi, por duhet të vlerësojmë edhe veten tonë. Ndaj nëse jemi të përqendruar dhe të fokusuar te puna jonë, besoj se do të dalim me sukses.
Keni marrë katër pikë në dy përballjet e para ndaj Dinamos. A mendoni se ekipi është gati ta ruajë këtë trend me një tjetër sukses?
Jemi të vetëdijshëm për kualitetin dhe cilësinë që kemi, për punën që bëjmë dhe çdo ndeshje jemi për tre pikë. Se çfarë ndodh më pas, nuk e di, sepse futbolli ndonjëherë është i paparashikueshëm. Por dëshira dhe vullneti janë aty. Tani duhet ta kthejmë dhe ta interpretojmë këtë edhe në fushë. Sepse nëse pas ndeshjes me Vlorën pamë një Teutë jashtëzakonisht entuziaste në mënyrën se si e interpretoi lojën, por duhet të jemi më cinikë te realizimi, te finalizimi i aksioneve dhe të golave. Kjo është një ndeshje tjetër. Ndeshjet e Kupës janë të veçanta, ishte një ndeshje teke. Tani ndeshjet e kampionatit janë akoma më të rëndësishme dhe ne duhet të kthehemi te fitorja pas pesë ndeshjesh pa fitore.
A prisni edhe afrime të tjera për ta përforcuar ekipin?
Prisnim edhe dy-tre afrime. Sa më shpejt të vijnë, aq më mirë për ne dhe për të gjithë lojtarët, që të adaptohen sa më shpejt dhe t’i fusim në linjat dhe strukturat tona, që ekipi të funksionojë sa më mirë.
Si e vlerësoni merkaton dhe besoni se do të zgjidhet problemi i golit në afatin e janarit?
Merkato është bërë në atë mënyrë që ta zgjidhim këtë problem. Çdo ekip ka problemet e veta, ashtu edhe ne jemi të vetëdijshëm për problemin që kemi. Problemi më i madh ishte nëse nuk do të krijonim raste, dhe ne i krijojmë rastet. Finalizimi është çështje kohe që do të kthehet. Me afrimet që kemi marrë tregojnë se po afrojmë lojtarë cilësorë, në repartin sulmues, që të na ndihmojnë në problemin që kemi me finalizimin.
Ka pasur një heshtje të gjatë për shtypin, profesor. Mendoni se u bë zgjedhja e duhur?
Nuk e bëmë me qëllim. Nuk i di arsyet dhe nuk do të flasim për atë që ka kaluar, por jemi në momentin e duhur. Fillon faza e dytë, e tretë dhe e katërt pas 18 ndeshjesh. Është edhe një sinjal për tifozët tanë dhe për sportdashësit tanë që të na mbështesin akoma më shumë, sepse këto janë momentet kyçe në futboll dhe në jetë, që një ekipi është në rindërtim. I kemi bërë dy-tre hapat e parë, ose kilometrat e parë në autostradë, dhe tani na duhet edhe një shtytje më shumë. Ne kemi angazhimin, dëshirën dhe vullnetin. Jemi gjithë kohës në harmoni dhe entuziazëm mes stafit, ekipit dhe klubit. Funksionojmë jashtëzakonisht mirë. Duhet të jemi të kënaqur të gjithë. Por edhe sportdashësit, sepse futbolli luhet për ta. Shpresoj që ky të jetë një sinjal për t’i mirëpritur. Ndoshta sportdashësi është kërkues, dhe e duam që të jetë i tillë, por duhet të jemi ndonjëherë të vetëdijshëm që kemi marrë një rrugë të vështirë dhe themi që do ta arrijmë objektivin edhe me mbështetjen e tyre.
