Për Egnatian, ka ardhur tashmë koha për të dëshmuar veten në kualifikueset e Champions League. Pasi mbyllën me sukses fazën përgatitore, ku ia dolën të merrnin tre fitore nga katër miqësoret e zhvilluara në Bansko të Bullgarisë, të besuarit e trajnerit Nevil Dede do t’i drejtohen ndeshjes së parë zyrtare, atë përballë FC Petrocub, rivalit nga elita e futbollit moldav.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kampionët e Superiores deklarojnë se ekipi ka nisur tashmë ëndrrën në arenën europiane, ku pikërisht fokusi do të përqëndrohet i gjithi aty, në takimin e parë që do të luhet në Moldavi.
Mes rreshtash, ata vijnë edhe me një thirrje drejtuar tifozëve rrogozhinas ku i ftojnë të jenë pranë skuadrës dhe të mos mungojnë në këtë rrugëtim evropian.
Kujtojmë se Egnatia do të udhëtojë fillimisht drejt stadiumit “Zimbru Stadium” të mërkurën e 8 korrikut, prej orës 19:00 dhe më pas do të kthehet më 15 korrik, aty ku do të presë në “Arena Egnatia” rivalin moldav, me orarin e përcaktuar 21:00.
POSTIMI:
"Pas një periudhe intensive përgatitore, skuadra mbyll me sukses fazën e përgatitjeve, duke hedhur bazat për sfidat që e presin.
Me punë dhe perkushtim, ekipi është gati të nisë ënderren në arenën evropiane. Tashmë i gjithë fokusi është te ndeshjet e Play-Off-it të UEFA Champions League, ku na pret një tjetër provë e rëndësishme.
Ftojmë të gjithë tifozët tanë të jenë pranë skuadrës dhe të mos mungojnë në këtë rrugëtim evropian. Mbështetja juaj nga tribunat është forca jonë më e madhe dhe së bashku mund ta bëjmë çdo sfidë edhe më të veçantë.
Sytë drejt Play-Off-it të UEFA Champions League. Së bashku për ngjyrat tona."
