Vllaznia do të luajë sot kundër Partizanit, ndeshje e vlefshme për javën e 30-të të Superiores. Kjo përballje është programuar të zhvillohet sot në orën 17:00, ndërsa pritet me mjaft interes nga të gjithë sportdashësit shqiptarë.
Edhe pse të kuqtë po kalojnë një formë të mirë, Neësport.al ka analizuar shkurtimisht këtë takim duke vënë peshoren tek të dy ekipet. Ndeshje të tilla janë të vështira për t’u parashikuar, megjithatë këto mund të jenë 10 arsyet që do të çojnë te fitorja skuadrën shkodrane.
- Shkodranët kryesojnë dhe një hap fals mund t’i largonte nga vendi i parë me një Elbasan të pandalshëm në ndeshjet e fundit.
- Euforia është në anën e vendasve, kësisoj të besuarit e Martinit do të bëjnë gjithçka që të marrin pikë te “Arena e Demave”.
- Drejtohen pikërisht nga një trajner si Edi Martini që e njeh mirë kampionatin shqiptar, por edhe specifikat e kundërshtarëve.
- Ka në skuadër një sulmues si Bekim Balaj, që di të gjejë në çdo moment rrjetën e ekipit kundërshtar.
- Organika e kuqebluve është cilësore dhe në ndeshje të caktuara kanë treguar që bëjnë diferencën.
- Prej dy vitesh në skuadër është Esat Mala, një nga lojtarët më të rëndësishëm të kampionatit shqiptar. Ish-i i kuq e njeh mirë skuadrën e Partizanit dhe ndofta do t’i gjejë pikën e dobët për t’i shënuar Qirkos.
- Vllaznia ka sulmin më të mirë të Superiores me 36 gola të shënuar.
- Kuqeblutë kanë treguar se janë hermetikë në prapavijë. Është pikërisht skuadra e Martinit, ekipi që ka pësuar më pak në këtë edicion futbollistik. Kësisoj, Partizani do ta ketë të vështirë t’i shënojë.
- Përballja me Partizanin nuk ka nevojë për motivim të veçantë, gjithëkush është gati për të zbritur në fushë dhe për të dhënë maksimumin.
- Vllaznia triumfon se është… Vllaznia!
