
Partizani po kalon një moment tepër të vështirë. Pas eliminimit nga Conference League, të “kuqtë” u përballën me dorëheqjen e trajnerit Skënder Gega dhe të Drejtorit Teknik, Sokol Haxhia.
Kjo situatë nuk po u pëlqen aspak tifozëve. Ndërkohë që së fundmi, tifogrupi mbështetës i Partizanit, “Ultras Guerrils” ka reaguar në rrjetet sociale. Këta të fundit kërkojnë dorëheqjen e menjëershme të strukturave drejtuese të klubit të Partizanit.
Reagimi i Ultras Guerrils:
Partizani jonë ka vetëm tifozët.
Duket sikur vetëm tifozët e mbajnë peshën e dështimit ose mungesës së suksesit megjithse nuk janë përgjegjës të drejtpërdrejtë. E për të gjetur përgjegjësit duket një mision i pamundur që kalon nëpër skuta justifikimesh, pëshpëritje fajsimesh ku gjithmonë e ka fajin tjetri, ai i radhës i cili duhet eleminuar për të mbajt lart flamurin e ekspertit që shërbenpër të mbajtur ngrohtë postin e drejtuesit me çdo kusht.
Lojtarët për këtë tip drejtuesi vlejnë vetëm nëse përmbushet kriteri komisionues dhe regjistrimi në agjensinë private menaxheriale. Pëçmohen lojtarët e akademisë pasi ato i sjellin përfitime vetëm fanellës e klubit që i ka formuar, në vend të tyre na duhen anonimë me paga të fryra, të sjellë me pompozitet e që mjerisht kanë përfunduar tek rezervat e ekipit B, duke mos lënë asnjë shenjë as aty. Operacionet e merkatos dhe strategjia bazohet vetëm tek dëshira për të gjetur momentin më të përshtatshëm për të ngecur një kontratë e për të zyrtarizuar komisione të rëndomta.
Për ne si tifozë dhe për klubet serioze ka filluar sezoni i ri, dhe përgatitjet, afrimet, largimet bëhen në mënyrë që ndeshja e parë të na gjejë gati edhe të jemi konkurrent për kualifikimin e mbi të gjitha për aspiratën e madhe të arritjes në grupe.
Por mesa duket tashmë që prapaskenat dalin në skenë kjo tipologjia e drejtuesit ka pritur medoemos dështimin. Nuk ka bërë asnjë hap për përforcimin apo harmonizimin e situatës me objektivat. E kur kjo kupolë nuk di të punojë në skuadër mos të presim që në ekip të reflektohet e kundërta.
Mjafton edhe ti hedhim sytë tek CV e kuptojmë që një ish trajner kalamajsh tek ekipi me vija, ka marrë drejtimin e Partizanit kur sapo ka dalë kampion e është në kërkim të për cikël fitues. Cikli fitues jo që nuk ndodh, por problemet sa vijnë amplifikohen dhe konfirmohet i njëjti skenar i dështuar. Ekipi u kthye nga nje Range Rover në një Fiat 500 me probleme xhenerike dhe nëse nuk i bëjmë shërbimet e duhura do mbetemi në rrugë. Ndaj më mirë të nxjerrim në rrugë atë që duhet nxjerrë ... me dorheqje.
Partizani jonë ka vetëm tifozët.