Dinamo dhe Partizani do të përballen këtë të hënë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 19:00. Në prag të këtij derbi, ka folur edhe tekniku i “Demave”, Oltijon Kërnaja.
Si është gjendja e skuadrës?
Atmosfera është e mirë në ekip pavarësisht largimit nga një objektiv që ishte kryesor për ekipin tonë. Djemtë kanë treguar që në fushë dinë të luajnë shumë mirë. Këtë muaj që kanë luajtur janë paraqitur jashtëzakonisht shumë mirë dhe shpresojë që të vazhdojmë po kështu edhe ndeshjen me Dinamon.
Është momenti që të merrni fitoren e parë ndaj Dinamos?
Është e vërtetë që me Dinamon është ndër të vetmet ekipe që kemi patur rezultate negative. Në dy fazat e para kanë qenë episodet, sidomos në ndeshjen e fundit do të veçoja episodin në minutën e 86' kishim dy lojtarë tanë kundër portierit të Dinamos. Shpresoj që të kemi korrigjuar disa gabime që kemi bërë ndoshta atëherë dhe sigurisht ne do të hyjmë vetëm për 3 pikët.
Një fitore në derbi ju jep vendin e katërt?
Nuk është që është një ndeshje jashtëzakonisht shumë vendimtare sepse janë edhe 9 ndeshje të tjera, ka ndeshje përsëri. E mira është që jemi në lojë, jemi aty çdo gjë varet nga këmbët tona nuk varemi nga të tjerët. E kam thënë edhe më përpara nëse ne vazhdojmë të marrim pikët tona nuk do të shikojmë fare për të tjerët dhe do vazhdojmë. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e mirë, e luftuar nga të dyja ekipet duke qenë se edhe Dinamo pas atyre rezultateve negative tashmë e ka rregulluar duke fituar 3 ndeshjet e fundit. Kështu që t’ia lëm fushës.
Keni ndonjë shqetësim përpara kësaj sfide?
Jo asgjë nuk na shqetëson, çdo gjë është në rregull. Stërvitja ka shkuar shumë mirë. Jemi munduar të rekuperojmë pak lodhjen nga 120 minutave nga ndeshja me Elbasanin, por duke parë që mund të kemi edhe disa djem që janë të freskët çdo gjë është e gatshme. Kontigjenti është ata që janë. Kuptohet mungesat dihen janë afatgjata nuk dua ti përmend tani sepse janë ripërsëritur në çdo konferencë që mungojnë Marku, Preka, Keko kanë dëmtime të gjata. Por kontigjenti është ne nuk kemi vuajtur asnjëherë. Edhe kur e kam thënë më përpara shikohej me shumë habi, por kontigjenti është kjo është e mira e klubit. Kemi shumë lojtarë, shumë elementë të gatshëm për ndeshjen.
Objektivi tashmë mbetet kampionati?
Djemtë së bashku me ne stafin do të bëjmë atë që kemi bërë deri tani të gjithë bashkë si grup. Të japim maksimumin, të vrapojmë, të derdhim djersë në çdo centimetër të fushës dhe sigurisht që rezultati do vij.
