Elbasani është ndalur në barazim 1-1 përballë Skënderbeut, në miqësoren e programuar këtë të shtunë, e cila vlejti për të monitoruar gjendjen e futbollistëve prag rikthimit të futbollit shqiptar.
Golin e parë të këtij dueli përgatitor e shënoi Arsen Lleshi në radhët e vendasve, ndërsa miqtë reaguan në minutën e 35-të, duke e mbyllur në baraspeshë këtë miqësore.
Këto teste vijnë në kuadër të përgatitjeve për të dyja skuadrat të cilat ndajnë objektiva të rëndësishëm në këtë fazë të mbetur në kampionatet respektive.
Elbasani shkon në kryeqytet ku e pret përballja me Dinamon për javën e 30-të të Abissnet Superiore, ndërsa Skënderbeu pret Ilirinë e Fushë Krujës për të vazhduar marshimin drejt rikthimit në elitë për javën e 29-të të Kategorisë së Parë.
