Tirana ka fituar në transfertë përballë Teutës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 3-4 të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, përfundoi me shifrat 0-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri fitues, Orges Shehi.
“Sekreti? Nuk ka ndonjë sekret të madh, ka vlerësim dhe përgjegjshmëri për lojtarët. E kam thënë edhe në fillim, po tregojnë kualitetin e tyre, gjithë merita është e tyre dhe qasja që kanë në fushën e lojës.
Është e vërtetë që në pjesën e parë kishim zgjedhur një manovër, në varësi të vendosjes së Teutës. Treshen donim ta krijonim duke futur Xhixhën nga linjat qëndrore, për të krijuar superioritet. Për shkak të terrenit dhe erës nuk ia dolëm. Në pjesën e dytë ndryshuam. Kërkuam që të kishim dendësi lojtarësh në qendër, pastaj zbritëm Verën poshtë. Pastaj sigurisht edhe me Haxhiun dhe Xhixhën, kishim lojtarë për thellësi.
Xhixha? Mendoj që mund të rikuperohet, ndryshuam taktikë për të që të mos konsumohej. Nuk e lamë në fushë deri në atë gradë, e nxorrëm. Nuk mendoj që kishte dëmtim serioz që ta lërë jashtë.
Ana psikologjike? Patjetër që ndeshja ka shumë ndeshje brenda. Ne e përgatisim edhe në bazë të kundërshtarit. Kur e shohim që nuk na del, e kërkojmë ndryshe gjë. Gjithmonë kërkojmë ndryshim në bazë të lojës. Sot i ndryshuam edhe goditjet standarde. Ndoshta po i ngarkojmë shumë lojtarët.
Unë e thashë, kushtet atmosferike dhe fushën e prisja shumë më ndryshe, në gjendje më të mirë. Na e kërkonte edhe strategjia diçka të tillë. Pas pjesës së parë, ne e shohim të gjithë edhe lojtarët vetë e dinë, që kjo është ndeshje me situata, duhet të jemi të përqendruar. Lojtarët e panë shumë shpejt që duhet kujdes. Edhe interpretimi, duke qenë në ekuilibër”, tha Shehi.
