
Ndeshja e zhvilluar mes Flamurtarit dhe Partizanit në Vlorë, pavarësisht se ka disa ditë që ka përfunduar, sërish vazhdon të diskutohet në emisionet sportive. Një sfidë e cila nuk ka kaluar pa kontestime nga ekipet, ndeshje e cila ka ngjallur shumë debate.
Penalltia e dhënë për Partizanin nga arbitri në fushë, por i anuluar nga VAR-i ishte një nga episodet e diskutuara në “Procesin Sportiv”. Të ftuarit ishin të ndarë në dy pjesë. Ish-arbitri Lorenc Jemini shprehej se ishte penallti, ndërsa Gëzim Sinemati e kundërshtonte së bashku me Redi Jupin.
PJESË nga DEBATI:
Lorenc Jemini: Te Flamurtari ankohen kot. Kjo është penallti që është dhënë për Partizanin, por është kthyer nga VAR-i. Unë them se është penallti dhe ka gabuar VAR-i.
Redi Jupi: Mos thuaj sipas meje, se nuk na duhet mendimi jot. Por na thuaj kriteret pse është penallti, kjo na intereson neve, na jep elementët.
Lorenc Jemini: Ti thuaj mendimin tënd pastaj dhe pesho mendimet.
Redi Jupi: Mendimi jot nuk ka rëndësi, rëndësi ka të japësh kriteret. Kush janë kriteret?
Lorenc Jemini: Ta thash pra! Elementët janë: Dy lojtarë janë paralel duke vrapuar për topin dhe pakujdesia që bën Telushi në momentin e fundit i shkakton faull te kofsha Skukës. Ky është para, pasi sulmuesi ia merr kohën.
Redi Jupi: Sulmuesi nuk ka top or vlla…
Lorenc Jemini: Topin se ka as Telushi dhe kur krijohet kontakti, shikohet kush e bën. Te rasti i dytë, te goli i anuluar. Edhe unë kur e kam parë ndeshjen, mu duk gol i saktë. Sepse duket si pozicion i rregullt, por nuk të lë të gabosh sistemi VAR, pasi sistemi VAR i del elektronikisht vija.
Gëzim Sinemati: Mund të më tregosh sa vija janë aty?
Lorenc Jemini: Dy janë… . Bluja tregon pozicionin e mbrojtësit, vija e kuqe është maja e këmbës së sulmuesit që është më e avancuar dhe që del pozicion jashtë loje. 5 centimetra, por del offside. Po e nxori sistemi mbaroi, mos krijoni dyshime.
Gëzim Sinemati: Ne për sistemin dyshojmë….
Lorenc Jemini: Është sistemi elektronik, jo sistemi lart.
Gëzim Sinemati: Po ai sistemi elektronik ka Diellën sot, atë Diellën e futbollit. Sistemi elektronik varet nga ata.
Lorenc Jemini: Është sistem elektronik që vendos pikën te maja e këmbës së sulmuesit dhe mbrojtësit dhe krijohet vija, nuk të lë të gabosh. Rasti i tretë është për Flamurtarin, ka penallti, por që nuk është dhënë dhe te Flamurtari kanë të drejtë.