Teuta dhe Tirana kanë barazuar mbrëmjen e sotme, në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, përfundoi me shifrat 1-1.
Një nga momentet më të diskutuara ishte penalltia e dhënë në favor të durrsakëve, të cilën e ktheu në gol Beshiraj. Megjithatë, specialisti i moviolës tha në “Supergol” në RTSH të kundërtën e asaj që bëri gjyqtari Kreshnik Barjamaj në fushë. Sipas Kolës, nuk ishte 11-metërsh.
“Penalltia? Do e ndaja në dy pjesë, momenti i dhënies së penalltisë në fushë nga Barjamaj dhe më pas VAR-i. Nëse unë do të isha në fushë s’do ta jepja penallti. Aty ka një kontakt, meqë ka një kontakt, e vlerëson arbitri i fushës. Ky nuk është rast bardhezi. Gjykoj që është një kontakt shumë i lehtë dhe mund të ishte kaluar, s’mund të them që kemi të bëjmë një 11-metërsh. Për mendimin tim është kontakt i lehtë, intensitetit e mat vetë gjyqtari dhe për këtë arsye s’ka ndërhyrë sistemi VAR”, tha Kola.
