
Mladen Milinkovic u prezantua para pak minutash si trajneri i ri i Partizanit. Ndërkohë që menjëherë pas firmës, 57-vjeçari serb ka thënë edhe fjalët e tij të para si i “kuq”, duke theksuar se objektivi kryesor është titulli kampion në Superiore.
“Dua të falënderoj drejtorin për fjalët e mira dhe presidentin për mundësinë që të punoj në një klub kaq të madh siç është Partizani. Unë kthehem pas 8 vitesh në Shqipëri, eksperienca në dy klubet e para ishte shumë e mirë. Gjithashtu besoj se njerëzit në klubet ku isha trajner më parë ishin shumë të kënaqur dhe besoj se mund të bëj tifozët në gjithë Shqipërinë të jenë të lumtur në fund të sezonit.
Padyshim kur punon në një klub të madh objektivi i vetëm është titulli. Kjo është arsyeja pse vendosa ta pranoja këtë ofertë se në 4 vitet e fundit kisha mundësinë të punoja në klubin më të mirë në Malin e Zi dhe të fitoja dy herë titullin, një herë Kupën, kishim një vit shumë të mirë në Europë. Mendoj se kjo është arsyeja pse njerëzit që vendosin në klub më zgjodhën mua. Padyshim është shumë e lehtë të thuash kur je i ulur këtu që unë e dua këtë gjë. Shumë klube duan të njëjtën gjë, por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën që të përfundojmë në fund aty ku duam.
A ka kohë dy javë nga starti? Padyshim, edhe po ta nisja nga fillimi, të gjithë trajnerët duan më shumë kohë. Por ne kemi këtë kalendar që pas dy ndeshjeve kemi shkëputje për ekipet kombëtare dhe besoj se pas kësaj shkëputje mund të ndryshoj gjërat siç dua. Merkato? Është dita e parë, duhet të shohim ata që kemi fillimisht. Lojtarët që janë këtu e meritojnë dhe kanë cilësi, padyshim. Dua të filloj punën me të dhe të shohim. Padyshim është e nevojshme por do të bëjmë gjithçka bashkë me drejtorin”, u shpreh serbi.