Ndeshjet e javës së 28-të dhuruan rezultate surprizë për skuadrat që pretendojnë një vend në pozitat e “Final Four”, ashtu sikurse për klubet që synojnë qëndrimin në Superiore sezonin e ardhshëm.
Egnatia ndali në barazim pa gola Vllazninë, duke i frenuar shkodranët në marshin e fundit drejt titullit. Sakaq, Elbasani mori një fitore të vështirë në transfertë përballë Flamurtarit në Vlorë. Mes tensionesh, elbasanllinjtë ia dolën të marrin pikë të vlefshme duke i “kërcënuar” pozitat Vllaznisë kryesues, pasi të dyja këto skuadra momentalisht kanë të njëjtat pikë në klasifikim, 52 për secilën.
Surpizues është rezultati për Partizanin e Oltijon Kërnajës që mori një pikë në sekondat e fundit përballë Vorës në transfertë. Një ndalesë “e rrezikshme” për të kuqtë të cilët shpëtojnë nga ndalesa e Dinamos me Teutën.
Durrsakët e drejtuar nga Enkeleid Dobi i shkaktuan një tjetër humbje skuadrës së Ilir Dajës, duke marrë tre pikë të çmuara në transfertë, falë golit vendimtar të Arifit në pjesën e parë. Diferencat mes vendit të katërt dhe të gjashtë është vetëm 6 pikë, ndaj dhe ndeshjet e fundit të fazës së mbetur pritet ta bëjnë akoma më interesante garën se kush do të marrë përfundimisht vendin e fundit të top katërshes për objektivin “Final Four”.
E zjarrtë mbetet gjithashtu edhe konkurrenca për mbijetesën. Fitorja e Tiranës përballë Bylisit, duke përfituar dhe nga ndalesa e Vorës në shtëpi ndaj Partizanit, i jep shpresa bardhebluve që të besojnë te mrekullitë dhe të largohen nga zona e ftohtë. Momentalisht, djemtë e Orges Shehit mbajnë vendin e 9-të në renditje, me pikë të barabarta me Flamurtarin e vendit të fundit, të cilët u “rrëzuan” sërish në shtëpinë e tyre ndaj Elbasanit.
Sfidat e javës së 29-të pritet t’i japin një tjetër dinamikë këtij edicioni të Abissnet Superiore, pasi koha ecën dhe skuadrat duhet të bëjnë menjëherë llogaritë për pikët që u duhen për të përmbushur objektivat përkatës.
