Ndërsa na ndajnë edhe 4 javë deri në mbyllje të sezonit të rregullt të Superiores, rivaliteti është ndarë në 3 segmente. Vllaznia dhe Elbasani e ndajnë kreun me vetëm 1 pikë diferencë. Flamurtari i vendit të fundit është vetëm 3 pikë larg pozitës së 7-të, e cila të shpëton nga rënia në Kategorinë e Parë.
E “zjarrtë” dhe e paparashikueshme vlerësohet edhe se cili ekip do sigurojë “biletën” për Final Four mes Dinamos dhe Partizanit, respektivisht vendi i 4-të dhe i 5-të.
“Blutë” grumbullojnë 45 pikë, po aq sa të kuqtë, por në ndeshjen direkte, bilanci shkon në favor të dinamovitëve. Nëse i referohemi kalendarit deri në fund për të dyja kampet, priten duele “ferri”.
Partizani luan fillimisht me Tiranën në kryeqytet, pret Flamurtarin, udhëton në Rrogozhinë karshi Egntias dhe e mbyll “finalen” me Dinamon në “Arena e Demave”.
Asgjë e lehtë edhe për të besuarit e Ilir Dajës. Impenjimi në Kupën e Shqipërisë mund të ndikojë akoma më shumë për keq. Në Superiore, kalendari i “bluve” përkon ndaj Flamurtarit (jashtë), Egnatias (brenda), Vora (brenda) dhe Partizani (jashtë).
