Ka ndryshuar axhenda e një prej ndeshjeve të Superiores. Java e 11-të e kampionatit nuk do të luhet vetëm të shtunën dhe të dielën, siç ishte parashikuar në fillim, por tashmë një përballje do të zhvillohet edhe ditën e premte.
Saktësisht dueli mes Bylisit dhe Flamurtarit, i cili ishte parashikuar të zhvillohej ditën e dielë në orën 14:00 në stadiumin “Flamurtari”, do të luhet ditën e premte në të njëjtin stadium, por në orën 17:00. Do të luhet në Vlorë, pasi dueli i parë mes skuadrave ku Flamurtari ishte si pritës u zhvillua në "Adush Muça", pasi stadiumi i vlonjatëve ende nuk ishte gati. Në marrëveshje e arritur mes klubeve, kjo sfidë tashmë do të luhet në Vlorë.
Ndërkohë ditën e shtunë do të zhvillohen 2 ndeshjet e tjera sipas programit. Ndeshja e parë e kësaj dite do të jetë përballja mes Tiranës dhe Vorës, takim i cili do të startojë në orën 14:00 dhe do të zhvillohet në “Selman Stërmasi”.
Në orën 17:00 e gjithë vëmendja do të jetë te supersfida Vllaznia – Dinamo. Ekipet do të përplasen në “Loro Boriçi”, takim ky që premton të jetë mjaft i luftuar.
Ndërkohë ditën e dielë do të zhvillohen 2 sfidat e tjera. Gjithçka do të nisë në orën 17:00, ku do të luhen paralelisht në Elbasan dhe Durrës.
Në “Elbasan Arena” përballë do të vihen Elbasani – Egnatia, ndërsa në “Niko Dovana” do të bëjnë mes tyre llogaritë e javës së 11-të Teuta – Partizani.
