Tirana do të luajë ndaj Teutës ditën e nesërme. Përballje kjo që do të zhvillohet në “Selman Stërmasi” duke nisur që nga ora 13:30 dhe është e vlefshme për javën e 25-të të Superiores.
Në prag të kësaj sfide ka folur Ardian Nuhiu. Trajneri i kryeqytetase ka theksuar se me rikthimin e Redon Xhixhës nga dëmtimi, skuadra është më e fortë. Ndër të tjera ka nënvizuar se nuk është aspak i shqetësuar për zërat që e lidhin me një shkarkim të mundshëm.
“Do të luftojmë në çdo cep të fushës, qasja të jetë me përkushtim të madh, të luftojmë për çdo top, të dalim te potenciali i skuadrës tonë, në momentin që dalim te këto, do të thyejmë tabutë. Të marrim më të mirën nga kjo ndeshje. Nuk më keni dëgjuar asnjëherë të ankohem, skuadra ka bërë mirë këto 10 ndeshje ku për një periudhë të shkurtër kemi bërë një skuadër kompakte, jemi ngritur lart me hap të shpejtë. Sduhet të ndalojmë kemi shumë punë përpara, kemi qenë në situatë të vështirë, kemi larguar futbollistë, kemi afruar, kemi mbajtur ata që kanë kontribuar. Nuk ka vend për shqetësim, të harrojmë atë ndeshje dhe të vazhdojmë udhëtimin tonë drejt objektivave të skuadrës.
Lëkundja e stolit? Kanë qenë zëra që i kam dëgjuar nëpër portale, por në asnjë moment nuk është se nuk kam ndjerë ngohtësi nga drejtuesit me futbollistët kemi qenë të qetë, sa më shpejt ta harrojmë atë ndeshje e cila ishte e rëndësishme për ne dhe tifozët. Nuk arritëm tja dalim edhe pse bëmë një pjesë të dytë të mirë, në futboll duhet të kesh dhe fat. Në çdo rast që krijuam nëse do të shënonim ndeshja do të merrte rrjedhë tjetër. Rreth zërave unë kam qenë shumë i qetë. Kemi bërë shumë mirë me skuadrën, kemi arritur për 5 xhiro të dalin në një pozitë të mirë, nuk do të ndalemi këtu na pret ndeshje e vështirë nesër, besoj te karakteri i grupit që do të bëjmë një ndeshje të madhe nesër.
Jemi me fat si skuadër që kemi dy portieri kualitativ. Në radhë të parë njerëz të mëdhenj, mënyrën si stërviten dhe pranojnë çdo vendim të stafit, do vazhdojnë të jenë portierë të rëndësishëm për ne. Harrova të theksoj që kemi hasur vështirë në lëndimet, ata që menduam se do bënin diferencën si Alvarez, Xhixha dhe disa të tjerë nuk i kemi pasur në përbërje. Ata që janë paraqitur kanë bërë punë të mirë, Alvarez është kthyer me skuadrën dhe do ta shohim gjendjen e tij fizike, Kobiljar është stërvitur me skuadrën në Turqi ku ka qenë, është në gjendje të mirë fizike. Janë të dy të rëndësishëm për skuadrën. Në momentin që do na kthehet Xhixha do të shohim një Tiranë të vërtetë dhe do të jemi konkurrues”, ka deklaruar timonieri i bardhebluve.
