
Dinamo nuk ka ndërmend të ndalet, pasi “groposi” Hajduk Split në Conference League. Objektivi i radhës për ekipin e Ilir Dajës është Jagiellonia. Daja gjatë një konference përshtyp në transfertën polake ka përgëzuar rivalin, ndërsa është ndalur edhe te plani se si do të zëvendësojë hendekun e lën nga largimi i Zabërgjas dhe Mandela në fazën ofesive: “Po e filloj me një kujtesë afatshkurtër, që Jagiellonia ka bërë shumë mirë vjet në Conference League, ku në dijeni time është eliminuar në çerekfinale.
E di që është nga ekipet më të forta të Polonisë dhe bën një futboll të mirë gjatë fazës mbrojtëse dhe në sulm, kjo si meritë e trajnerit dhe stafit të tij. Kanë gjithmonë të pranishëm lojtarin e 12-të, publikun. Dihet se klubet që dalin deri në ‘play off’-in e Confernce League janë ekipe që e meritojnë dhe një nga këto është edhe Jagiellonia. Pra, përballë do të kemi një ekip të fortë dhe për të bërë ne punën tonë, duhet të sakrifikojmë shumë.
E falënderoj kolegun për fjalët që ka thënë. Edhe ne jemi një ekip me histori e traditë në futbollin shqiptar, por që rikthehemi në Europë pas disa vitesh mungesë. Mandela dhe Zabërgja? Janë dy lojtarë që kanë qenë golashënuesit tanë më të mirë në sezonin e fundit dhe futbollistë shumë të rëndësishëm për ne. Por, tashmë ne u kemi uruar suksese në klubin e ri ku kanë shkuar në Ukrainë. Ndonëse koha është e shkurtër, duhet të mësohemi se ata nuk janë më pjesë e skuadrës sonë.
Së fundmi, kemi bërë një afrim në merkato, që nesër mund të jetë pjesë e lojës (Bernard Berisha), si në start dhe gjatë zhvillimit të sfidës. Do të mundohemi që sa i përket pjesës së lojës, t’i zëvendësojmë sa më mirë të jetë. Çdo tur ndryshon nga turi tjetër, ashtu siç ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra.
Hajduku dhe Jagiellonia janë dy ekipe të forta, po se ku dallojë do të preferoja që të mos i citoja, sepse nesër do ta kemi kundërshtar Jagiellonian. Të gjitha energjitë psikofizike ne i kemi te ndeshja e radhës, jo te e kthimit. Pasi nga kjo varet edhe si do të dalë rezultati. Nëse marrim një rezultat pozitiv, padyshim do të kemi më shumë tifozë. Në të kundërt, mund të ndodhë situatë tjetër”.