Skuadra e Partizanit ka marrë fitore shumë të rëndësishme kundër kampionëve të Egnatias në javën e 26-të të Superiores, e përfunduar 2 – 0.
Të besuarit e Oltijon Kërnajës e treguan “diktatin” e tyre që në pjesën e parë, aty ku vendosën golat e Muratajt, minuta e 8-të dhe Sidibe në të 14-të.
Avantazhi i dyfishtë për “Demat e Kuq” në kohë të shkurtër, ndikoi për keq te ekipi rrogozhinas, të cilët mbetën të shokuar dhe pa mundësi reagimi. Edhe pse Egnatia tentojë të ndryshojë rrjedhën e lojës në fraksionin e dytë, e pati të pamundur kundër Partizanit të mirëorganizuar.
Në minutën e 71-të, kapiteni i kampionëve në fuqi Albano Aleksi, u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa duke shkuar drejt dhomave të zhveshjes, provokoi tifozët kryeqytetas me veprim aspak të hijshëm.
Pas kësaj fitore bindëse me lojë dhe rezultat, “Demat e Kuq” grumbullojnë 39 pikë, vendi i 5-të, po aq sa ka edhe Dinamo (pozita e 4-të në tabelë). Për Egnatian, disfata në fjalë i lë të 3-të me 46 pikë, 5 më pak se Vllaznia kryesuese.
Partizani – Egnatia 2 – 0 (Murataj 8', Sidibe 14')
90' - Përfundon ndeshja Partizani - Egnatia, fitojnë "Demat e Kuq" 2 - 0.
71' - Kapiteni i Egnatias Albano Aleksi "përjashtohet" nga fusha me karton të kuq, pas ndërhyrjes kundër Sembenes. Mesfushori provokon tifozët e Partizanit, teksa shkon drejt dhomave të zhveshjes.
61' - Egnatia kërkon të "zgjohet" me Buric, por sulmuesi nuk e devijon dot topin drejt portës rivale.
46' - Starton pjesa e dytë.
45' - Mbyllet pjesa e parë.
34' - Skuka pengohet në zonë, arbitri Bylykbashi jep penallti. Pasi thërritet në VAR, lejohet vazhdimi i lojës.
14'- GOL PARTIZANI! Shënon Sidibe.
8'- GOL PARTIZANI! Shënon Valentino Murataj.
1’ – Shkelmohet topi i parë në stadiumin “Arena e Demave”.
FORMACIONET ZYRTARE:
PARTIZANI: Qirko; Atanaskoski, Bytyçi, Sembene, Kola, Murataj, Human, Doumbia, Sidibe, Skuka, Isgandarli.
Trajner: Oltijon Kërnaja.
EGNATIA: Dajsinani, Jaime, Aliyev, Poçi, Fangaj, Fernando, Aleksi, Selmani, Albanese, Buric, Rodrigues.
Trajner: Edlir Tetova.
Superiore: Java e 26-të
Stadiumi: “Arena e Demave”
Arbitër: Erjon Bylykbashi
