Në prag të ndeshjes Partizani – Egnatia (nesër, ora 16:30), e vlefshme për javën e 26-të në Superiore, trajneri i “Demave të Kuq” Oltijon Kërnaja ka folur para mediave, duke hedhur më shumë “dritë” rreth gjendjes në ekip dhe sfidës së nesërme.
“Ismaili u shtohet numrit të lojtarëve, që mungojnë për këtë ndeshje. Lojtarët që kanë qenë më përpara, si Preka, Marku dhe dihet Çipi që janë dëmtime afatgjatë. Pjesa tjetër është ‘ok’. Dhe Qaka ka pasur një shqetësim të vogël, por është stërvitur me ekipin. Kështu që çdo gjë është ‘ok’.
Kur kemi ardhur, e kemi thënë që jemi për ‘Final Four’. Dhe vazhdojmë ta themi përsëri që jemi ‘Final Four’, vetë emri i ekipit, emblema që mban tifozët e shumtë, e ka detyrim të luajë për trofe gjithmonë dhe sa më lart në renditje. Nëse më përpara thamë dhe ishin shumë veta skeptikë, sepse jo çdo gjë varej nga këmbët tona, tani çdo gjë e kemi vetë në dorë. Të shikojmë ndeshjet tona. Nëse marrim ndeshjet tona, ‘Final Four’ aty është. Nuk ka ku largohet.
Egnatia meriton respekt, për çfarë ka dhënë në tre vitet e fundit në futbollin shqiptar. Është kampione dy herë rresht, i Kupës dhe Superkupës para 1 viti. Është një ekip i mirëorganizuar, me lojtarë shumë cilësorë.
Dy ndeshje që jemi ndeshur me të, kemi bërë ndeshje jashtëzakonisht shumë të mira. Në ndeshjen e parë kemi dalë 0-0 këtu, me një rast në minutën e 90-të, që Dajsinani e shpëtoi me Tomën. Do flisnim ndryshe. Në Rrogozhinë kemi bërë një paraqitje jashtëzkaonisht shumë të mirë, episodet e vendosën.
Vazhdojmë të them përsëri, do bëjmë paraqitje shumë të mirë. Do bëjmë detyrën, pjesën tjetër ia lëmë fushës. Unë shikoj punën e ekipit tim, mënyrën si do luajë, organizimi i djemve tanë. Nuk është se kemi druajtje, luhet futboll.
Ekipet luajnë të barabarta, vijnë në formë shumë të mirë momentale. Bashkë me Vllazninë janë 3 ekipet më në formë në vitin 2026. Do jetë një ndeshje e bukur, e luftuar, pastaj ia lëmë fushës. Të shikojmë kush do bëjë më mirë.
Sfidë brenda sfidës me Tetovën? Jo, nuk e shoh ashtu. Tetova ka dhënë shumë për futbollin shqiptar. Ka fituar rreth 7 trofe gjatë kohës tek Egnatia. Mua më duhet shumë punë, që të shkoj aty. Besoj se nuk është sfidë mes nesh, por mes Egnatias dhe Partizanit. Ia lëmë atyre, të shfaqen në fushë. Dhe jo trajnerët.
Çunat kanë pasur rritje jashtëzakonisht shumë të mirë. Nuk është meritë vetëm e imja, por e gjithë klubit Partizani. Duke parë elementet e shumtë në përbërje, mund të jemi ekipi me përbërjen më të madhe në Superiore. Pavarësisht se ka pasur shumë dëmtime, ekipi ka shfaqur vetëm rritje në rezultate dhe lojë.
Akoma nuk është më e mira. Siç e dini, baza kryesore e lojtarëve është akoma jashtë. Arafat, Nondi, Preka, Marku, Çipi dhe ndonjë që ndoshta po e harroj për momentin. Janë shumë jashtë. Në momentin që do jetë i gjithë grupi i plotë, atëherë me të vërtetë do jemi një skuadër e frikshme.
Kush është në ‘Final Four’ është rival për kampion. Ekipet në Shqipëri janë me faza. Një fazë është një ekip, një fazë tjetra. Nuk është se një ekip ka treguar rrjedhshmëri të qartë nga ndeshja e parë deri në fund.
Vllaznia sot është kryesuese, por në fund dhjetori ishte thuajse jashtë ‘Final Four’. Pas një ecurie të fazës së tretë shumë të mirë, tetë fitore radhazi, arriti të shkëputej në vendin e parë. Po ashtu kemi pasur dhe ne oshilacione në fillim të sezonit, e kemi filluar shumë dobët. Katër humbje radhazi.
Pesë humbje në shtatë ndeshje, që Partizanit nuk i kishte ndodhur në shumë vite. Duhet parë forma e ekipeve në ‘Final Four’, pasi të mbarojnë 36 javë. Duke parë formulën që është, u jep mundësinë të gjithëve që të luajnë për titull kampion.
Nuk jam më pishman. Jam krenar që jam te Partizani. Kur e mora dhe tani, mundohem të jap maksimumin. Nuk mendoj fare nëse do isha më përpara ose jo. Nëse Partizani do ishte në vend të parë, mua nuk do më jepej mundësia. Ky është basti im personal, faleminderit presidentit që na dha mundësinë që të ishim këtu.
Apel? Apel jo, thjesht një thirrje tifozëve që të jenë sa më shumë. Ekipi ka nevojë tashmë, kur jemi shumë afër fundit të kampionatit. Të jemi sa më shumë në numër.
Futbolli luhet për tifozët, ne stafi dhe djemtë japim maksimumin, që tifozët të shijojnë një futboll sa më të bukur. Luhet për ata. Mbështetja e tyre jep një shtysë akoma më të madhe në këto javë.
Sidomos në këtë javë që është shumë e rëndësishme për ekipin, se 3 ndeshje që varen shumë gjëra. I ftoj të gjithë të japim maksimumin, edhe lojtarët të japin maksimumin. Shpresoj të marrim maksimumin e pikëve”.
