
Ndeshja mes Flamurtarit dhe Partizanit nuk do të jetë thjeshtë një betejë sportive mes tyre, por dhe një kthim pas për disa lojtarë të skuadrës vlonjate. Lojtarë si Bruno Telushi, Idriz Batha, Stiven Janku, Herald Marku, Lorenc Trashi apo dhe Valentino Murataj do të kenë një takim me të kaluarën pasi kanë qenë pjesë e “Demave të Kuq” në periudha të ndryshme, duke shkruar histori dhe duke lënë emrin e tyre tek kjo skuadër.
Një betejë emocionuese por në të njëjtën kohë tepër e rëndësishme për të dyja këto skuadra duke parë dhe pozicionimin e tyre në renditje. Aktualisht skuadra e Partizanit ndodhet në vendin e 9 me vetëm 4 pikë pas 6 ndeshjeve të zhvilluara, ndërkohë që Flamurtari është në fundin e renditjes me 2 pikë më pak se kryeqytetasit.
Ndeshja do të zhvillohet ditën e diel në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë në orën 17:00 dhe do të jetë kyçe për objektivat e këtyre skuadrave. Ndërkohë vlen të theksohet se vlonjatët ende nuk ia kanë dalë të marrin fitoren e parë në Superiore dhe diçka të tillë do të synojnë ta bëjnë kundër kryeqytasve.