
Dinamo do të luajë në transfertë ndaj Hajduk Split, duel që do të zhvillohet ditën e enjte në orën 21:00 dhe që është i vlefshëm për fazën e 3-të të Conference League. Por përpara kësaj sfide nga “blutë” ka largime të rëndësishme.
Itodo Mandela mund të konsiderohet i larguar nga dinamovitët. Kjo pasi Ilir Daja nuk e ka përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar për duelin me kroatët. Ky veprim i timonierit të Dinamos është “lexuar” si një konfirmim i largimit të sulmuesit.
Siç dihet sulmuesi do të vazhdojë karrierën në Ukrainë te skuadra e Metalist 1925, duke nisur kështu një aventurë të re në karrierën e tij. Fillimisht ishte parashikuar që Mandela të largohej pas avanturës europiane me Dinamon, por duket se gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë palët kanë ndarë rrugët, ndonëse mungon ende një zyrtarizim.