Mesfushori me tipare ofensive i dinamovitëve Eridon Qardaku ka folur para kryesfidës Vllaznia – Dinamo, e planifikuar të mbahet në orën 17:00, stadiumi “Loro Boriçi”, java e 11-të e Superiores.
Interesante është se 25-vjeçari do sfidojë skuadrën ku u “formua” si lojtar: “Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë, një ndeshje e denjë rivalësh. E respektojme Vllazninë, por nuk e mbivlerësojmë dhe as nuk e nënvlerësojmë.
Patjetër që në stadiumin “Loro Boriçi” do të jetë një atmosferë e mirë dhe e bukur sportive. Tifozët shkodranë gjithmonë e bëjnë të bukur atmosferën, ndaj them se do të jetë një ndeshje për t’u shijuar e gjitha.
Ne si Dinamo City do të mundohemi të bëjmë lojën tonë, si gjithmonë. Jemi përgatitur për këtë sfidë dhe tani le t’ia lëmë fushës gjithçka.
Na duhet të jemi të përqendruar nga momenti i parë deri në të fundit për të gabuar sa më pak. Objektivi ynë është që të marrim më të mirën nga kjo ndeshje”.
