Tirana dhe Partizani do të masin forcat përballë njëra-tjetrës, për ndeshjen e javës së 33-të në Abissnet Superiore. Edhe pse ndeshja e fundit mes tyre këtë edicion, derbi mbetet gjithmonë një ndeshjee ku llogaritë për favoritë zerohen dhe sfida ndizet me shkelmin e parë në fillimin e lojës.
Të tilla emocione të forta i ka përjetuar dhe Rezart Dabulla, ish-i bardheblu i cili në periudhën e artë të Tiranës ka mbuluar rolin e mbrojtësit. Në një intervistë të dhënë për RTSH-në, Dabulla shprehet se në derbet e së kaluarës humbjet ishin të rralla dhe "këshilloi" djemtë e Orges Shehit që të mos bëjnë të njëjtat gabime si në ndeshjet e kaluara.
"Është ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat. Partizani lufton për të kapur Final Four, por kuptohet që është e rëndësishme dhe për Tiranën që rrezikon të dalë nga kategoria. Një nga repartet me probleme te Tirana është mbrojtja, pasi ka gabuar shumë këtë vit. Shpresoj që ndaj Partizanit mos t'i shfaqin, por ka dhe gjëra të tjera që duhen përmirësuar", është shprehur ish-mbrojtësi.
Dabulla kujton kohët kur tifozët i bënin kërkesa të drejtpërdrejta për ta fituar derbin, duke mos u interesuar për ecurinë e mbetur në kampionat. Ai thekson se numri i tifozëve ka rënë, ndryshe nga sa ka qenë më parë.
"Tifozët na kërkonin fitoni derbin, nuk duam kampionatin, ka patur tifozë më shumë sesa sot, kjo edhe për faj të klubit të Tiranës që nuk ka mundur të bëjë një ekip cilësor për të mbushur stadiumin, duhet të kënaqemi me kaq sa kemi”, përmbylli ish lojtari i Tiranës.
