
Arshnozh Bintsouka është kthyer në një “çështje” te Partizani. Drejtuesit dëshirojnë që ta mbajnë sulmuesin në ekip të paktën edhe në sezonin e ri, por siç dihet janë refuzuar disa herë nga lojtari.
Por pas disa tentativash u duk se palët gjetën një mundësi bashkëpunimi, teksa u bë e ditur se mes tyre ishte arritur akordi për rinovimin e kontratës. Por pavarësisht kësaj, sërish Bintsouka nuk duket gjëkundi.
Sulmuesi u ka premtuar drejtuesve se do të vinte në Tiranë për të firmosur rinovimin, por deri më tani nuk ka asnjë informacion nga lojtari. Kështu duket se Bintsouka “zhduket” sërish, me të kuqtë presin.
Në rast se nuk do të kthehen, në cilindo ekip që të shkojë sulmuesi, “Demat” do të përfitojnë taksën e formimit, që varion nga 30 deri në 50 mijë euro. Në ditët dhe javët në vazhdim pritet të mësohet se çfarë do të ndodhë me kongolezin dhe ku do të jetë e ardhmja e tij.