Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

Gaz Demi në versionin e presidentit të Tiranës, a do të përsëritet historia?! Oltijon Kërnaja dhe 5-1 i famshëm

Shkruar nga NEWSPORT
Gaz Demi në versionin e presidentit të Tiranës, a do të
Fiorja e Tiranës 5 - 1 ndaj Partizanit në 2020, Gaz Demi, Refik Halili dhe Oltijon Kërnaja

Të gjithë e kujtojnë 2020-tën, vit kur Tirana shkëlqeu dhe mori titullin e 25-të kampion. Një sezon i jashtëzakonshëm me njerëz spektakolarë që ishin rritur dhe afirmuar në atë klub. Presidenti Refik Halili në bashkëpunim të ngushtë me ish drejtorin sportiv, Arbi Laçi vendosën dhe ia besuan skuadrën Emanuel Egbosë.

Një teknik që mori frerët e ekipit në emergjencë dhe arriti të bënte atë që asnjë homolog i tij nuk kishte mundur ta bënte për vite me radhë. Pjesë e familjes, diti të mbyllte vrimat ku "pikonte çatia".

Të gjithë e mbajnë mend atë vit, mjafto të përmendet 5-1 i famshëm ndaj Partizanit. Sot, pas më shumë se 5 vitesh, Tirana nuk është më e njëjta. Shumë emra të zëvendësuar në pankinë dhe tanimë skuadra më e titulluar në Shqipëri po lëngon në fundin e tabelës. Ndryshe situata në kampin e rivalëve të përhershëm, Partizanit.

Fitorja e sotme 2-0 ka ngjallur entuziazmin tek të kuqtë, që nën zë besojne edhe te mrekullia e titullit. Por deri atje, ka ende shumë rrugë për të bërë. Edicioni nisi me shumë ulje ngritje dhe me dy trajnerë të larguar, Gega fillimisht e mandej Milinkoviç. Presidenti Gaz Demi këtë radhë nuk nxitoi, por ia besoi skuadrën Oltijon Kërnajës.

Trajneri tropojan një emër i dëgjuar shumë në kategoritë inferiore, por në Superiore të paktë ata që e njihnin. Këtë sezon atij iu besua Partizani B, por fati dhe dëshira e Gaz Demit deshën që t'i vinte mundësia e jetës: Trajner i parë i Partizanit të parë. Në 6 ndeshje në krye të të kuqve ka bërë mirë.

Duket identik si sezoni i Tiranës së titullit kampion, që me përfundimin e dy fazave askush s'e besonte qe bardheblutë do të shkonin te titulli i 25-të kampion. Kështu ndodh edhe te Partizani. Asnjë s'e çon në mendje trofeun. Një panoramë e ngjashme me rivalin historik të Tiranës, tanimë me presidentin Gaz Demi që ka eksperiencën e mjaftueshme si president prej më shumë se 1 dekade dhe skuadrën ia ka besuar një djaloshi si Oltijon Kërnaja.

Në shkurt të 2020-tës, derbi ndryshoi rrotën e historisë për Tiranën, ndërsa triumfi i sotëm i Partizanit e ka afruar vetëm 3 pikë me zonën e "Final Four".

A do të përsëritet historia? Gaz Demi duket se "padashje" është në gjurmët e presidentit të Tiranës, Refik Halili për zgjedhjen e bërë asokohe me Emanuel Egbo. Edhe sot numri një i klubit të kuq i ka besuar një pjesëtari të familjes, që deri më tani ia ka shpërblyer më së miri. S'mbetet gjë tjetër veçse koha të zbulojë identikit e këtij Partizani.

Poll

Lexo gjithashtu