Oltijon Kërnaja padyshim është njeriu i ndeshjes në çdo sfidë te Partizani. Nuk premtoi asgjë kur mori drejtimin e një klubi markë në Shqipëri, por puna e tij i ka bërë të gjithë të ëndërrojë. Aty ishte edhe në fillim të sezonit, por si ndihmës. Gaz Demi besoi te intuita dhe i dha çelësat e skuadrës duke e bërë trajner të parë.
Puna ka qenë relativisht e mirë, por pas merkatos së janarit, ka qenë fantastike. Në 5 ndeshjet e fundit, 5 fitore. Shifra të një skuadre që mund të pretendojë shumë. Por, ajo që ka më shumë rëndësi, është fryma që ka futur ky njeri në skuadër. Nuk ka individë, por ka grup.
Nuk ka titullarë absolutë, por ka meritokraci. Minuta për të gjithë, askush s'është i pazëvendësueshëm. Edhe eksperiencën para medieve ka nisur ta fitojë duke shkuar paralel me nivelin e klubit që i është besuar ky pozicion i rëndësishëm. E megjithatë për të njohur tropojanin Kërnaja, mjafton të shihet kjo fotografi.
Pas ndeshjes, atëherë kur te gjithë ishin drejtuar nga tifozët, trajneri i Partizanit u drejtua te Sidibe, teksa shkëmbeu disa fjalë me të dhe në fund ky përqafim. Nëse në fillim ishte e vështirë për Kërnajën, tani po:
Është super e vështirë. Përveç aspektit tekniko-taktik, i duhet të punojë shumë me lojtarët në aspektin psikologjik. Sepse Superliga s’është autostradë, po shpesh gropa të mëdha që duhet dinakëri për t'u mbushur. Përpos këtyre, sot është nata e Partizanit dhe Kërnajës për t'u gëzuar. Nesër, motorrët ndizen për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.
