Fitorja me Teutën në stadiumin "Niko Dovana" i dha një tjetër "hov" të madh Tiranës për të shpresuar qëndrimin në Superiore edhe në sezonin e ardhshëm.
Goli i vetëm në këtë sfidë u shënua nga Rimal Haxhiu në minutën e 76-të, që mjaftoi dhe për tre pikët e radhës për skuadrën e trajnerit Orges Shehi.
Pas ndeshjes, "djemtë" bardheblu qëndruan për të festuar së bashku këtë moment pozitiv, edhe pse duhet thënë se mbijetesa nuk është një "objektiv" për t'u konsideruar nga 25 herë kampionët e Shqipërisë.
Është vetë sulmuesi Redon Xhixha që ka shpërndarë një postim ku shfaqen Freddy Alvarez, Ndong, Tabekou, Luciano Vera dhe Johan Cortes. Me shënimin "La Banda", lojtarët i referohen një grupi të bashkuar e që me trajnerin durrsak, ia kanë dalë të largohen disi nga vorbulla e zonës së ftohtë.
