Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 7-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT
FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 7-të të
Formacioni i javes

Java e 7-të e Abissnet Superiore u mbyll dje me dy ndeshjet e fundit, AF Elbasani – Vora dhe Flamurtari – Partizani. Vora u rikthye te fitorja me rezultatin 2-1 në “Elbasan Arena”, ndërsa Partizani triumfoi 1-0 në Vlorë. Vllaznia fitoi 1-0 në transfertë ndaj Bylisit, ndërsa Egnatia – Dinamo City dhe Tirana – Teuta u mbyllën pa gola 0-0.

Ndërkohë si në çdo javë të Superiores, “Newsport.al” ka zgjedhur 1 futbollistët më të mirë, si edhe “Trajnerin e Javës”. Më poshtë do të njiheni me emrat e secilit prej tyre, bazuar në javën e futbollit që lamë pas.

Shkëlzen Ruçi (Vora): Portieri i Vorës vazhdon që të jetë një pikë kyçe në 11-shen titullare. Diçka të tillë e tregoi edhe në fitores 1-2 përballë Elbasanit, duke treguar formë të mirë dhe duke qenë efikas.

Andrey Yago (Vllaznia): Edhe pse mbrojtësi i krahut të majtë luajti vetëm pjesën e parë përballë Bylisit, ai ishte protagonist absolut. Në aspektin mbrojtës fantastik, teksa shënoi edhe një gol, por që më pas u anulua.

Eljon Sota (Egnatia): Qendërmbrojtësi po tregon formë të mirë, teksa duket se është përshtatur plotësisht me skemat e Edlir Tetovës. Krah Arbenit Xhemajlit, Sota po bën mjaft mirë, duke treguar guxim dhe vendosje të mirë në fushë. Një gjë të tillë e bëri në mënyrën më të mirë të mundshme përballë Dinamos.

Melos Bajrami (Vllaznia): Fitorja pa pësuar gol përballë Bylisit do të thotë shumë për mbrojtjen shkodrane, sidomos për Bajramin. Ai u tregua “cinik” dhe i saktë në ndërhyrje dhe pasime, duke krijuar siguri në prapavijën kuqeblu.

Erdenis Gurishta (Vllaznia): Kur vjen puna për tek eksperienca në repartin difensiv, Vllaznia mbështetet tek Gurishta. Mbrojtësi i krahut të djathtë tregoi se është një lider, madje duke ndihmuar shumë edhe në ofensivë.

Ardit Krymi (Vllaznia): Ai luan në vendin që i cakton Edi Martini, aty ku i duhet Vllaznisë. Edhe pse është në rolin e një “6-shi”, Krymi bën mirë edhe qendërmbrojtësin, duke treguar klas dhe siguri. Një tjetër ndeshje e mirë për mesfushorin, i cili ishte protagonist dhe pikë kyçe në fitoren përballë Bylisit.

Xhoele Maçolli (Teuta): Mesfushori 24-vjeçar dita-ditës dhe nga ndeshja në ndeshje po përmirësohet. Diçka të tillë po e tregon mjaft mirë, duke qenë i jashtëzakonshëm në mesfushë dhe duke i dhënë “frymëmarrje” lojës së Teutës, si në ndeshjen kundër Tiranës.

Kristi Qose (Elbasani): Pavarësisht se ekipi i tij u mposht me përmbysje përballë Vorës, Qose ishte mjaft mirë, duke kryer detyrat e tij. Madje ai shkoi “përtej detyrave”, duke shënuar golin për të tijët, edhe pse në fund rezultoi vetëm statistikor.

Bernard Karrica (Elbasani): Edhe pse për të është sezoni i parë në Superiore si futbollist, madje në futbollin shqiptar, duket se po përshtatet shumë shpejt. Pasi bëri “namin” kundër Tiranës, ai shënoi golin e përmbysjes përballë Elbasanit, sfidë të cilën Vora e fitoi me shifrat 1-2.

Dario Daka (Vora): Edhe pse nuk ishte titullar përballë Elbasanit dhe u aktivizua në minutën e 58-të, ai la “shenjë”. Dakës i mjaftuan vetëm 7 minuta për të shënuar gol, me të cilin ndihmoi ekipin të merrte 3 pikë të arta në “Elbasan Arena”. Një “xhol” për Arjan Bellain, i cili po shpërblen besimin e teknikut.

Vusal Isgandarli (Partizani): Mladen Milinkovic nuk e preferonte, por që në ndeshjen e parë me trajnerin Oltijon Kërnaja, Isgandarli tregoi klasin e tij. Një ndeshje perfekte, madje azeri “detyroi” Lorenc Trashin që të shënonte në portën e tij, në fitoren 0-1 që Partizani arriti të merrte në transfertën vlonjate.

Trajner - Arjan Bellai (Vora): Një përgatitje mjaft e mirë e ndeshjes. Reagimi erdhi në kohën e duhur, duke treguar që Vora nuk është vetëm kalimtare në këtë sezon të Superiores. Fitore me përmbysje dhe futboll cilësor, Bellai dhe Vora e tij treguan më të mirën përballë Elbasanit në fitoren 1-2.

Poll

Lexo gjithashtu