
Ndonëse sfida mes Teutës dhe Dinamos ende nuk është zhvilluar, Kategoria Superiore ka luajtur javën e parë të kampionatit me 4 ndeshje. Vllaznia mposhti Egnatian në ndeshjen hapëse me shifrat 2-0, ndërsa Bylisi dhe Tirana u ndalën në barazim pa gola.
Në sfidën tjetër Elbasani mposhti Flamurtarin me shifrat 1-0, gjithashtu dhe Partizani triumfoi ndaj Vorës me po të njëjtin rezultat. Për javën e parë të Kategorisë Superiore, “Newsport” ka zgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës.
Pano Qirko (Partizani): 26-vjeçari arriti të mbajë portën e paprekur për “Demat e Kuq” në përballjen e javës së parë ndaj Vorës. Një paraqitje dinjitoze e Qirkos që ndikoi jo pak në triumfin e Partizanit.
Saliou Sembene (Partizani): Në partneritet me emrin e përmendur më sipër, mbrojtësi senegalez ishte i pakalueshëm në prapavijën e kryeqytetasve. Me paraqitjen e shkëlqyer në mbrojtje ndaj Vorës, Sembene u vlerësua gjithashtu lojtari më i mirë i takimit.
Bruno Lulaj (Elbasani): Në disa prej sulmeve të rrezikshme të Flamurtarit, Lulaj ishte protagonist duke mbrojtur portën e Elbasanit. Gjithashtu, edhe me ndihmën e shokëve të ekipit mbajtën portën e paprekur.
Lojtari i Javës / Melos Bajrami (Vllaznia): Në fitoren ndaj Egnatias me shifrat 2-0, përveçse mbajti repartin difensiv të paprekur, Bajrami arriti të çojë topin në rrjetë për Vllazninë në përballjen e javës së parë.
Fabjan Përndreca (Bylis): Me paraqitjen mjaft të mirë të mbrojtësit anësor të mallakastriotëve, Tirana e pati tepër të vështirë të depërtojë. Përndreca arriti të fitojë dhe çmimin lojtari më i mirë i takimit për Bylisin.
Kleandro Lleshi (Tirana): Me një Tiranë që nuk ishte në ditën më të mirë edhe pse mori një pikë, vlen për t’u përmendur paraqitja e mirë e Lleshit, i cili i dha frymëmarrje lojës së bardhebluve.
Cristian Dros (Vllaznia): Mesfushori moldav zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në mesfushën e Vllaznisë përballë Egnatias. Një detyrë aspak e lehtë e Dros në ndeshjen që lamë pas, duke parë dhe kualitetin e lojtarëve të Egnatias.
Edon Murataj (Vllaznia): Paraqitje të shkëlqyer zhvilloi dhe 23-vjeçari në debutimin me Vllazninë. Murataj u ambientua menjëherë në lojën e shkodranëve, duke mos u vënë re se ishte takimi i tij i parë.
Roei Ben Shimon (Elbasani): Që në paraqitjen e parë në Kategorinë Superiore, Ben Shimon ra në sy menjëherë për lojën e tij të mirë ndaj Flamurtarit në repartin ofensiv.
Besar Gudjufi (Partizani): Një paraqitje tepër të mirë bëri dhe 21-vjeçari i “Demave të Kuq” përballë Vorës. Gudjufi devijoi topin që po shkonte drejt portës së kundërshtarëve, që më pas u quajt autogol i Repajt.
Zé Gomes (Elbasani): Gjithashtu dhe sulmuesi nga Guinea ishte protagonist në shumë aksione të rrezikshme të Elbasanit në ndeshjen e fituar përballë vlonjatëve.
Trajneri i Javës / Edi Martini (Vllaznia): Përgatitja e sfidës ndaj Egnatias ishte fantastike, u pa qartë në fitoren e shkodranëve me shifrat 2-0. Mundi dhe puna e gjatë gjithë javës e Martinit me grupin, u shpërblyen të premten që lamë pas.