
Ditën e djeshme u mbyll java e 6-të e Kategorisë Superiore me sfida dhe rezultate shumë interesante. Si çdo javë, “Newsport.al” ka zgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës.
Angelo Tafas (Tirana) – Portieri i bardhebluve bëri një paraqitje të mrekullueshme ndaj Partizanit në derbi. Tafas arriti të mbante dhe portën e paprekur përballë rivalëve të përjetshëm të Tiranës.
Andrey Yago (Vllaznia) – Shkodranët arritën të marrin një fitore të rëndësishme ndaj Elbasanit me shifrat 1-0. Goli i vetëm i Vllaznisë u realizua nga mbrojtësi brazilian.
Kleandro Lleshi (Tirana) – Me bardheblutë që shkëlqyen në derbi përballë Partizanit, shkëlqeu dhe reparti i mbrojtjes. Një prej më të mirëve ishte dhe Kleandro Lleshi.
Arbënit Xhemajli (Egnatia) – Mbrojtësi i rrogozhinasve ishte ndër më të mirët në fushë ndaj Vorës. Me ndihmën e Xhemajlit, Egnatia mbajti portën e paprekur ndaj Vorës.
Ardit Toli (Teuta) – Ky i fundit ka arritur të ambientohet menjëherë tek durrsakët. Toli kontribuoi edhe në repartin ofensiv në fitoren e djeshme ndaj Bylisit.
Serxho Vogli (Tirana) – Surpriza më e madhe në derbin e kryeqytetit ishte Vogli. Mesfushori i talentuar i Tiranës u shpall gjithashtu lojtari më i mirë i takimit ndaj Partizanit.
Daniel Wotlai (Teuta) – 22-vjeçari nigerian ishte ndër më të mirët në fushë ndaj Bylisit. Ëotlai gjithashtu vendosi dhe takimin me golin e vetëm të shënuar.
Flamur Ruçi (Egnatia) – Rrogozhinasit arritën të bënin një ndeshje mjaft të mirë ndaj Vorës. Ruçi një ndër më të mirët padyshim që shënoi dhe golin e vetëm.
Klevi Qefalija (Dinamo) – Mesfushori 21-vjeçar zhvilloi një paraqitje fantastike ndaj Flamurtarit. Qefalija ishte ndër më të mirët në mesfushë për Dinamon.
Serge Tabekou (Tirana) – Tabekou mund të thuhet se domioi totalisht ndaj Partizanit. Ylli i Tiranës gjithashtu shënoi golin e tretë të nokautit në derbin e kryeqytetit.
Tiago Nani (Dinamo) – Me dinamovitët që ishin fantastikë, shkëlqeu dhe Tiago Nani. Ylli portugez arriti të shkundë rrjetën ndaj Flamurtarit në “Selman Stërmasi”.
Trajneri i Javës / Roberto Bordin – Me një organizim dhe përgatitje fantastike ndaj Partizanit, Tirana e Bordin triumfoi me shifrat 3-0. Një meritë të madhe merr padyshim dhe trajneri italian që ka “zgjuar” bardheblutë.