
Ditën e djeshme është mbyllur java e 14-të e Superiores. Ndeshjet e fundit ishin Bylis – Egnatia (0-2) dhe Elbasani – Tirana (1-1) dhe Partizani – Laçi (1-0). Ndërkohë ditën e shtunë u zhvilluan Skënderbeu – Dinamo (2-2) dhe Vllaznia – Teuta (2-1). Pas përfundimit të kësaj jave, “Newsport.al” ju sjell formacionin dhe trajnerin më të mirë. Një formacion 4-4-2, teksa trajner i kësaj jave është zgjedhur Edlir Tetova.
Ilir DOBJANI (Egnatia): Kyçi portën ndaj Bylisit. Disa ndërhyrje deçizive që i dhanë ekipit të tij 3 pikë të vlefshme këtë javë. Ka fituar shumë siguri në portë dhe pas largimit të Alen Sherrit, Dobjani me paraqitjet e tij ka bindur stafin e kampionëve.
Esin HAKAJ (Elbasani): Një ndeshje mjaft e mirë nga mbrojtësi përballë sulmuesve të Tiranës. I sigurt në ndërhyrje dhe daljet e tij. Një pikë kyçe e elbasanasve. Loja e tij bëri që kryeqytetasit ta kishin të vështirë të deportonin në prapavijë.
Mahamadou DEMBELE (Tirana): Mbrojtësi i bardhebluve bëri një ndeshje shumë pozitive. Isht solid në qendër të prapavijës, duke i sjellë siguri bardhebluve ndaj një kundërshtari i Elbasani. Mbrojtësi bardheblu përveçse ishte i saktë në fazën difensive, shpeshherë filtronte topa mjaft të bukur në mefushë, duke nisur aksione të rrezikshme. Goli i shënuar ndaj Elbasanit i “vuri” vulën paraqitjes së tij.
Melos BAJRAMI (Vllaznia): Është thjeshtë i përkryer ndaj Teutës. Një lojtar që bën siç duhet detyrat mbrojtëse, duke mos iu “dridh” çerpiku ndaj sulmuesve të Teutës. Por jo vetëm kaq arrin të shënojë golin e parë për shkodranët. Padiskutim ishte ndeshja e tij.
Abdurraman FANGAJ (Egnatia): Nuk është hera e parë për këtë sezon që Fangaj është në formacionin e javës. Shkodrani arrin të mbyllë siç duhet çdo aksion që vjen në krahun e tij nga skuadra e Bylisit. 27-vjeçari me eksperiecën e tij është mjaft i sigurtë edhe kur tenton të dalë para.
Ildi GRUDA (Vllaznia): Pas dëmtimit është rikthyer menjëherë në lide te Vllaznia. Ndaj Teutës shënon golin më vendimtar të takimit, duke rikthyer shkodranët te avanatazhi. Gruda kishte dhe raste të tjera për gol, duke qenë një rrezik konstant për mbrojtjen durrsake.
Ardit HILA (Elbasani): Një lojtar i palodhur. U “hakmor” siç dëshironte ndaj ish-skuadrës së tij, Tiranës. Shënoi golin e parë të takimit me anë të penalltisë së fituar nga Lleshi. Driblonte, shpërndante dhe niste aksione mjaft të rrezikshme për të tijtë. I kudogjendur ndaj Tiranës.
Sergio UJKA (Egnatia): Mesfushori i rrogozhinasve ishte deçiziv ndaj Bylisit. Ai shënoi golin e dytë për të tijët, teksa kishte një performancë mjaft pozitive. Ujka i jep 3 pikë Egnatias dhe mban kampionët në vendin e 3-të në klasifikim.
Albers KEKO (PARTIZANI): Padiksutim ishte heroi i të kuqve. Keko shënoi golin më vendimtar të kryeqytetasve, duke u dhuruar 3 pikë të rnëdësishme për të rimarrë kreun e renditjes. Por nuk ishte vetëm goli gjëja e mirë për të, pasi performanca e nivelit të lartë vendosi shpeshherë në vështirësi mbrojtjen dinamovite.
NASR Saleh (Teuta): U zgjodh lojtari i ndeshjes mes Vllaznisë dhe Teutës. Shënoi golin e vetëm të durrsakëve, por fatkeqësisht nuk ia doli që t’i siguronte pikë ekipit të tij. Në fakt ishte një supergol, i cili padiksitim është më i bukuri i shënuar në 14 javët e Superiores. Pavarësisht golit, kishte të tjera raste të rrezikshme, duke bënë mbrojtjen e shkodranëve në vështirësi.
Ermir RASHICA (Skënderbeu): Skënderbeu është me shumë fat që ka në gjirin e tij një lojtar si Rashica. Kapiteni i Kombëtares U-21 shkëlqeu ndaj Dinamos, ku fillimisht asistoi për Çuçkën dhe më pas shënoi për 2-0. Fantastik në fushë dhe shumë i rrezikshëm për dinamovitët.
Trajneri -> Edlir TETOVA (Egnatia): Ekipi i tij fitoi pastër ndaj Bylisit. Pavarësisht mungesave rrogozhinasit zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë dhe u rikthyen te fitorja.
