
Tirana ka fituar përballë Laçit në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Superiores. Kjo sfidë e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, përfundoi me fitoren 4-1 të bardhebluve. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri fitues, Bledi Shkëmbi.
“Kjo ishte fitore për pikë, të cilat janë më të rëndësishmet. Treguam karakter dhe bëmë një ndeshje pozitive. Në pjesën e parë patëm vështirësi, por në të dytën bëmë më mirë. Në përfundim jemi të kënaqur me pikët.
Vuajtëm sidomos në qarkullimin e topit, por meritë kishte ekipi i Laçit, të cilët bënë presion mjaft të mirë. Në të gjithë fushën po luanim 1 kundër 1. Në dy krahët si në mbrojtje dhe sulm nuk bënë maksimumin, kjo edhe për arsyen që Vera luante me këmbën e kundërt, ndërsa Ndreca nuk ishte në pozicionin e tij natyral edhe pse e bën mjaft mirë.
Në pjesën e dytë çdo lojtar shkoi në pozicionin e tij. Ajo që të qetëson më shumë është goli. Shënohet i dyti, i treti. Si ndeshjet e tjera bëmë dhe në pjesën e parë, shënuam, por edhe pësuam shumë shpejt.
Kishim disa probleme fizike te disa lojtarë, kjo ishte mënyra e vetme. Smaçi bëri një ndeshje të mirë në 45 minutat e para. Unë jam i kënaqur edhe pse u zëvendësua në pjesën e dytë. Jam i kënaqur dhe shpresoj që sulmuesit në këtë fazë të bëjnë më shumë.
Është e vërtetë që ne deri në momentin që shënuam dhe pësuam golin, po luanim minuta të mira. Patjetër që kur pësuam golin na u rikthyen fantazman. Ideja ime ishte që ne kishim shumë kohë për t’u rikuperuar. E ndjeva që skuadra do të përmirësohej në pjesën e dytë”, u shpreh Shkëmbi.