Jemi në periudhë merkatoje dhe surprizat nuk do të kenë “fund”. Kjo pasi priten transferime të bujshme nga ekipet, të cilat synojnë të përforcojnë ekipin për pjesën e dytë të sezonit.
Për t’iu dhënë një dorë ekipeve në përforcimet e tyre ka menduar FSHF. Çdo skuadër e elitës do të përfitojë 90 mijë euro në muajin janar nga Federata. Me fondin prej 3 milionë eurosh të miratuar pak kohë më parë për qëndrueshmërinë e sistemit futbollistik në vend, FSHF indirekt do të sponsorizonte edhe merkaton e dimrit, që sapo ka nisur.
Padiksutim që diçka e tillë është një ndihmesë shumë e madhe për klubet, të cilët mund të bëjnë përforcime cilësore për të rritur jo vetëm skuadrën e tyre, por edhe cilësinë e kampionatit.
Nga i njëjti fond i miratuar nga FSHF, klubet e Superiores do të përfitojnë edhe 90 mijë euro të tjera në fund të sezonit, duke e çuar në 180 mijë euro vlerën totale. Përjashtim bëjnë vetëm skuadrat që në fund të kampionatit bien nga kategoria, që këstin e dytë e marrin të përgjysmuar, pra 45 mijë euro.
