Abissnet Superiore ofron këtë fundjavë kalendarin më interesant të javës, aty ku beteja shtrihet në dy fronte. Ndeshjen e parë e hap Elbasani në shtëpi, teksa pret ndjekësit e Egnatias në orën 19:00.
Më pas, axhenda zhvendoset e gjitha në fundjavë, ku fillimisht gara për mbijetesë nis në Ballsh, ku Bylisi i Mirel Josës do të bëj çmos t'i marrë pikë Flamurtarit të vendit të fundit. Kjo sfidë nis në mesditë në orën 15:00. Tre orë më vonë, dy përballje të forta do të krijojnë shkëndija në klasifikim.
Teuta e Enkeleid Dobit pret Partizanin në "Niko Dovana", ndërsa Vllaznia e Edi Martinit luan me Dinamon e Ilir Dajës. Dy ndeshje që do të ofrojnë emocione të veçanta. "Fatura" e një tjetër ndalese do të peshonte shumë në fatet e secilës për objektivat që ato kanë në ndeshjet e mbetura.
Javën e mbyll Tirana që luan në "Selman Stermasi" përballë Vorës, një tjetër ndeshje direkte për mbijetesën. Fitorja përballë Bylisit ka lehtësuar disi presionin në kampin bardheblu, të cilët duan t'i marrin maksimumin vorakëve. Këta të fundit, pas pikës së marrë në shtëpi ndaj Partizanit, kërkojnë me ngulm qëndrimin mes më të mirëve në Superiore për t'iu shmangur një rikthimi në të Parën.
